Nga Ndriçim KULLA
Në disa momente disa pamje nuk mund t’i shohësh pa u tronditur thellë sepse ato nuk i përkasin vetëm çastit kur janë filmuar, por zbulojnë një të vërtetë më të thellë për gjendjen e një shoqërie dhe për natyrën e pushtetit që e sundon atë. Të shohësh nje student djal të ri 22 vjec të lidhur në kangjellat e nje instucioni siç ka ndodhur në ditën e pare të protestës , është një nga ato pamje që të bëjnë të pyesësh me zemërim e dhimbje: në çfarë pike kemi mbërritur si shoqëri dhe çfarë po ndodh me demokracinë tonë?Ndërsa edhe dia pamje të publikuara nga një rajon policies, të cilave iu referua mbrëmë edhe kryetari i opozitës, nuk mund të trajtohen si një lajm i zakonshëm i kronikës policore. Ato kërkojnë një përgjigje politike, morale dhe institucionale.
Kur të rinjtë ngrihen për të drejtat e tyre demokratike dhe për problemet që prekin arsimin e të ardhmen e tyre, shteti demokratik ka detyrimin t’i dëgjojë, jo t’i poshtërojë; të garantojë rendin, jo ta shndërrojë rendin në një mjet frikësimi. Askush nuk është mbi ligjin, por asnjë pushtet nuk mund ta përdorë ligjin si perde për të fshehur arbitraritetin. Policia nuk është pronë e qeverisë dhe as instrument për të mbrojtur krenarinë e një kryeministri të sfiduar nga furia e skandaleve korruptive dhe nga protestat studentore. Ajo është institucion i shtetit, i detyruar të mbrojë qytetarët dhe të veprojë brenda kufijve të ligjit, me proporcionalitet dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
Ajo që i bën edhe më tronditëse këto pamje është mosha dhe simbolika e atyre që shohim përtokë. Studentët përfaqësojnë pjesë vitale të së ardhmes së vendit, njerëz që duhet të jenë në auditorë, biblioteka dhe hapësira të debatit, jo të trajtohen sikur përbëjnë një kërcënim që duhet nënshtruar fizikisht. Kur një shtet e sheh rininë e vet si kundërshtar, ai fillon të humbasë jo vetëm autoritetin, por edhe arsyen për të cilën ekziston. Dhe kur imazhi i studentit që kërkon të drejtat e tij zëvendësohet nga imazhi i studentit të lidhur përtokë, problemi nuk është më thjesht policor: është një alarm për vetë cilësinë e demokracisë.
Historia moderne njeh regjime që e kanë përdorur dhunën për të heshtur kundërshtimin, ndër to edhe diktaturën e Pinochetit në Kili, ku represioni shtetëror la plagë të rënda në kujtesën e shoqërisë. Demokracia nuk rrënohet gjithmonë me një akt të vetëm; ajo mund të gërryhet gradualisht, sa herë që dhuna justifikohet, protestuesi shpallet armik dhe qytetari mëson se përballë pushtetit duhet të heshtë nga frika.
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por këto përkatësi dhe aspirata nuk mund të jenë vetëm dekor diplomatik, që shfaqet në fotografi dhe në fjalime zyrtare të monstres së regjimit. Ato duhet të shprehen në mënyrën se si shteti sillet me qytetarin, në pavarësinë e institucioneve, në respektimin e lirive dhe në aftësinë e pushtetit për të pranuar kritikën. Nuk mund të kërkojmë besimin e Evropës duke paraqitur një imazh të rregulluar të vendit, ndërsa realiteti i brendshëm na detyron të përjetojmë një shqetësim dramatik për të drejtat demokratike që janë ende një garanci e jetuar apo thjesht një premtim në letër.
Përgjegjësia kryesore, natyrisht, i takon pushtetit shqiptar. Kryeministri Edi Rama ka dashur ta trajtojë çdo protestë si një sfidë personale dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si një përpjekje për t’i cenuar autoritetin. Në demokraci, pushteti nuk është pronë private dhe qeverisja nuk është një skenë ku kryeministri duhet të dalë gjithmonë fitimtar. Një kryeministër që beson te forca e institucioneve nuk ka arsye të trembet nga studentët; ai u përgjigjet kërkesave të tyre, pranon përgjegjësitë që i takojnë dhe kërkon zgjidhje përmes dialogut. Përkundrazi, sa më shumë që një pushtet mbështetet te gazi, prangat dhe represioni, aq më shumë zbulohet problemet e tij të mëdha politike.
Prandaj, dhuna ndaj studentëve dhe ndaj çdo qytetari që protestojnë sot duhet të ndalet. Çdo pretendim për keqtrajtim duhet të hetohet seriozisht në mënyrë të pavarur, përgjegjësit të identifikohen dhe të drejtat e të ndaluarve të garantohen. Kjo nuk është çështje simpatie partiake, por një vijë e kuqe që ndan shtetin e së drejtës nga arbitrariteti. Askush nuk duhet të ketë frikë se do të përfundojë i lidhur përtokë vetëm sepse ka ngritur zërin kundër qeverisë.
Por përgjegjësia nuk përfundon te narkodiktatura shqiptare në Tiranë. Faktori ndërkombëtar duhet ta shohë Shqipërinë përtej murit të imazhit që ka ndërtuar Edi Rama. Partneriteti me Shqipërinë nuk duhet të ngatërrohet me mbështetjen pa kushte për qeverinë e radhës. Miqtë e vërtetë të një vendi nuk duhet ta mbrojnë pushtetin nga kritika, sepse kështu ata ndihmojnë që institucionet të funksionojnë, të drejtat të respektohen dhe krizat politike të mos shndërrohen në kriza të shoqërisë.
Në këtë kontekst, dialogu me përfaqësuesit e protestuesve, shoqërinë civile dhe të gjithë faktorët politikë shqiptarë duhet të bëhet një domosdoshmëri. Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike që ta nxjerrë nga spiralja e tensionit dhe t’i rikthejë vendit qetësinë institucionale. Një qeveri kujdestare, e dalë nga një marrëveshje e gjerë politike dhe me një mandat të përcaktuar qartë për garantimin e kushteve të një procesi të besueshëm demokratik, mund të diskutohet si një alternativë për kapërcimin e krizës. Por çdo zgjidhje duhet të mbështetet në Kushtetutë, në ligj dhe në vullnetin demokratik të qytetarëve, jo në imponim apo në pazare që përjashtojnë shoqërinë.
Eshtë fatalitet që Shqipëria të vazhdojë të ecë drejt përplasjes. Kjo krizë nuk duhet të vazhdoj me më shumë gaz, më shumë arrestime dhe më shumë urrejtje. Politika ekziston pikërisht për të gjetur rrugëdalje aty ku emocionet, interesat dhe konfliktet rrezikojnë të bllokojnë arsyen. Një pushtet që e kupton këtë duhet të ketë guximin të tërhiqet nga përshkallëzimi; një opozitë që pretendon të përfaqësojë ndryshimin duhet të dijë ta kthejë revoltën në një alternativë demokratike; ndërsa partnerët ndërkombëtarë duhet të ndihmojnë në krijimin e një rruge institucionale, pa u bërë palë në mbrojtjen e asnjë interesi të ngushtë.
Megjithatë, mbi të gjitha qëndron një detyrim njerëzor që nuk mund të shtyhet për nesër. Kur sheh studentë të lidhur përtokë, që arrestohet nga njerëz të pa njohur që janë detashment i një strukture misterioze të pushtetit nuk mund të rrish indiferent, sepse në atë pamje nuk është vetëm një i ri që ka humbur lirinë e lëvizjes për disa çaste; është edhe dinjiteti i një vendi që kërkon të mos humbasë lirinë e vet. Ato pamje duhet të na turpërojnë si shoqëri, por mbi të gjitha duhet të na zgjojë. Një komb nuk e mbron të ardhmen duke i frikësuar të rinjtë, por duke u krijuar atyre arsye për të qëndruar, për të besuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e vet.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipërisë i duhet të fitojë arsyeja. Jo arsyeja e ftohtë e atij që kërkon të ruajë pushtetin me çdo kusht, por arsyeja politike që di të dëgjojë, të pranojë përgjegjësinë dhe të gjejë një zgjidhje përpara se përplasja të bëhet plagë e re kombëtare. Studentët nuk duhet të jenë pengje të krenarisë së askujt. Ata janë zëri i një të ardhmeje që nuk mund të lidhet me pranga, as të shtrihet përtokë. Dhe nëse politika nuk e kupton këtë të vërtetë sot, ne do jetë vetë historia ajo që do t’ia kujtojë me një gjuhë shumë më të ashpër.
Gazeta RD