Nga Boldnews.al
Amarilda Sulaj, gjyqtarja e shortuar për caktimin e masave të sigurimit për 22 protestuesit e parë, të arrestuar të mërkurën e kësaj jave, dyshohet se është në kushtet e konfliktit të interesit. Bashkëshorti i saj, A.P., rezulton të jetë pjesëtar i Forcave Operacionale Policore, një strukturë e angazhuar gjerësisht në përballjen me protestuesit gjatë ditëve të fundit në Tiranë.
Rasti i dyshuar i “konfliktit të interesit” është evidentuar nga avokatët, të cilët përfaqësojnë interesat e protestuesve në gjykatë. Megjithatë, ata nuk kanë paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Sulaj, duke dashur që të mos vonojnë seancat për shqyrtimin e masave të sigurimit.

Kjo situatë ngre një pikëpyetje mbi vetë gjyqtaren e çështjes. Kodi i Procedurës Penale parashikon se gjyqtari, në rastet kur mendon se mund të jetë në kushtet e konfliktit të interesit, paraqet kërkesën për dorëheqje nga shqyrtimi i çështjeve tek kryetari i gjykatës.
Në rastin konkret, rezulton se gjyqtarja Sulaj nuk ka paraqitur një kërkesë të tillë dhe ajo ka vijuar gjatë ditës së sotme që të shqyrtojë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë për 15 protestuesit e parë të arrestuar.
Kodi i Procedurës Penale parashikon se, në rastet e dyshuara të konfliktit të interesit, kërkesën për përjashtimin e gjyqtares mund ta bëjë çdo palë e përfshirë, pra, edhe prokurorët.
Por, në rastin konkret, mesa duket, prokurorët e çështjes ose nuk e kanë ditur lidhjen familjare të gjyqtares Sulaj me një efektiv të Forcave Operacionale ose, mund të kenë vlerësuar se nuk është situatë konflikti interesi, aq më tepër që një pretendim i tillë nuk është ngritur as nga mbrojtësit ligjorë të personave të arrestuar.

Megjithatë, elementët e dyshimtë të konfliktit të interesit mund të ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e vendimmarrjes së gjyqtares.
Për momentin, nuk ka të dhëna nëse bashkëshorti i saj është prekur drejtëpërdrejtë nga përballja me protestuesit, nëse ka dëmtime apo nëse ka kryer veprime konkrete kundër tyre.
Gjithësesi, pamjet e përhapura gjerësisht në rrjet dhe në median tradicionale kanë paraqitur dëshmi të shumta se punonjës të forcave operacionale kanë pasur një angazhim të shtuar në mbështetje të forcave të rendit, duke shoqëruar, herë pas here edhe me forcë, të rinj protestues.
Ndërkohë që gjyqtarja Amarilda Sulaj u angazhua në shqyrtimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve, pretendimet për rënien e saj në konflikt interesi mund të përbëjnë shkak për nisjen e një verifikimi disiplinor në të ardhmen nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Gazeta RD