Berisha u bëri thirrje qytetarëve, prindërve, biznesmenëve dhe demokratëve t’u bashkohen studentëve në protestë, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për dhunën ndaj të rinjve dhe grabitjen e pronave publike.
Ai theksoi se Partia Demokratike do të vijojë t’u japë studentëve mbështetje totale dhe mbrojtje maksimale në protestën e tyre.
Berisha: Unë kam dëgjuar këto ditë zëra, të cilët nuk janë kundër studentëve, janë pro studentëve, por që piskasin gjer në qiell se u prek kjo pronë apo ajo pronë.
Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët.
Nuk jam për të prekur pronat, por nuk mund të injoroj kurrë se shkatërrimtari më i madh i pronave, grabitësi, plaçkitësi më i madh i pronave të shqiptarëve është Edi Rama, narkodiktatori që ju nuk ia thoni dot narkodiktator.
Se vërtet u prek diku një dyqan dhe u thye një vitrinë, po Porti i Durrësit 4 miliardë euro pasuri e juaja që vidhet nga Edi Rama me një grup, ku e keni zërin?
Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990.
Kërkojnë përmbysje të sistemit, kanë 100% të drejtë.
Sistemi i bazuar në drogën, e cila shkatërroi ekonominë tonë, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda eurove, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda aseteve publike, duhet të përmbysur një minutë e më parë.
Ndaj dhe çdo shqiptar duhet të dëgjojë këtë zë që buron nga thellësia e ndërgjegjes më të pastër të shoqërisë shqiptare dhe kombëtare, të bashkohemi me ta si prindër, si gjyshër, si bashkëmoshatarë sepse po bëjnë betejën më të fuqishme për shpëtimin e këtij vendi.
Të bashkohemi me ta sepse po shohim çdo ditë skenat më horror që kemi parë gjer sot.
Studentë të shtrirë përdhe dhe narkobanditë shqiptarë, serbë apo çfarë janë, u vërsulen si kafshë me çizmet e tyre mbi gjymtyrë për t’u thyer kockat, i gjuajnë me shkelm në kokë.
Shndërruan Ministrinë e Arsimit në ministrinë e krimit më të shëmtuar.
A e patë ju sallën e asaj ministrie të mbushur me trupa që gjallonin, të hedhur përdhe në çimento, kush me ndërgjegje, kush pa ndërgjegje nga barbaritë e narkobanditëve?
Çfarë mund të pritet më?
Çdo orë është humbje e madhe për ne.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët.
Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë.
PD, që në minutën e parë është rreshtuar e vendosur në mbështetje të plotë dhe totale, dhe në mbrojtje maksimale që mund të japë të studentëve.
Me këtë rast unë përshëndes të gjithë studentët, të gjithë gjimnazistët për vendimin e tyre historik për të dalë në sheshin e mejdanit, në sheshin e burrave për t’u përballur më këtë bandë të pashpirt.
Falënderoj të gjithë qytetarët që i kanë mbështetur ata, të gjithë demokratet dhe demokratët dhe garantoj se sikundër deri sot, PD do t’u japë mbështetje totale dhe mbrojtjen maksimale që mund t’i japë kësaj lëvizje, kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Gazeta RD