Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka kërkuar një zgjidhje politike për situatën e tensionuar në vend, duke e cilësuar largimin e kryeministrit Edi Rama si domosdoshmëri për rikthimin e paqes sociale.
Në një qëndrim në rrjetet sociale, Tabaku akuzoi qeverinë se po nxit përplasjen mes qytetarëve, bizneseve dhe policisë, në vend që të adresojë shqetësimet e studentëve dhe krizën që po përjeton ekonomia dhe shoqëria shqiptare në tërësi.
“U bë dita e tretë që kryeministri, si lugat, del që në të gdhirë e më pas zhduket dhe flet për djegien e biznesit. Ata që e kanë djegur biznesin dhe kanë shkretuar Shqipërinë janë atje sot, duke e mbajtur pushtetin me zor. Shqipëria ka nevojë për një paqe sociale të re, ka nevojë për një zgjidhje politike, ka nevojë për largimin e Edi Ramës. Këto janë kërkesat e studentëve, këto janë kërkesat e biznesit”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se, qeveria ka përgjegjësi për mbylljen e bizneseve vendase dhe shtimin e vështirësive për sipërmarrësit shqiptarë.
“Ata që sot qajnë me lot krokodili, sikur u dhimbset biznesi, e kanë shkretuar biznesin vendas. Kanë sjellë 18 ligje me porosi, kanë vendosur TVSH-në për këto biznese të vogla, i kanë mbyllur ato masivisht dhe i kanë detyruar të emigrojnë”, u shpreh ajo.
Tabaku nënvizoi se bizneset nuk duhet të shihen si kundërshtare të qytetarëve, pasi përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe nuk duhet të bëhen pjesë e një përplasjeje që rëndon më tej situatën në vend.
“Bizneset janë me qytetarët. Bizneset nuk duhen prekur. Bizneset duhen mbrojtur si shtylla kryesore e ekonomisë së Shqipërisë”, u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se përgjigjja ndaj situatës nuk duhet të jetë përplasja mes qytetarëve dhe sipërmarrjes, por largimi i qeverisë.
Gazeta RD