Albi Rakip, SYRI TV: Zoti Berisha, ditën e sotme kryeministri Rama zhvilloi një takim me efektivë të policisë duke u premtuar atyre 2500 euro bonus për angazhimin e tyre kundër protestuesve në sheshet, rrugët kryesore të kryeqytetit. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë vendim të kryeministrit Rama?
Sali Berisha: Qëndrimi im është thirrja ime për çdo anëtar të forcave të policisë: mos e pini helmin e Kserksit. Ai është helm për ta. Ai kërkon mercenarizmin e tyre total për qëllime personale. Braktisni detyrën, kaloni në anën e studentëve, kjo është thirrja ime për çdo anëtar të policisë së shtetit.
Albi Rakip, SYRI TV: Tirana tashmë është kthyer në një arenë beteje, rrugët kryesore, sheshet kryesore me protestën studentore kundrejt qeverisjes së kryeministrit Rama. Në fakt zoti Berisha, të paktën përgjatë gjashtë ditëve të protestës të zhvilluar në kryeqytet, nuk kemi parë asnjë prokuror të vetëm në rrugët e Tiranës. Cili është komenti juaj?
Sali Berisha: Jo, janë në kontrollin e plotë të partisë. Unë sapo e thashë sot në mëngjes, janë organizatë partie. Sjellje si ato ndaj demonstruesve, thyerje kafkash dhe çarja kafkash janë tortura publike që meritojnë dënimin më të madh. Por natyrisht kontrolli mbi prokurorinë, unë e thashë dhe sot në mëngjes, në qoftë se prokuroria do kishte bërë detyrën, ju garantoj se Shqipëria s’ishte sot këtu ku është.
Albi Rakip, SYRI TV: Nëse kryeministri Rama nuk tërhiqet, siç duket edhe nga qëndrimet e tij të fundit, zoti Berisha, a do të fitojë ai duke e shtrirë në kohë protestën dhe duke lodhur dhe sfilitur studentët dhe protestuesit siç ka bërë edhe me të mëparshmet?
Sali Berisha: Pa asnjë dyshim. Protesta do vazhdojë e fuqishme gjer në largimin e tij. Më mirë fatin e Ramizit sesa fatin e Çausheskut. Mendoj unë.
Por, po vazhdon, ai është i tmerruar, i frikësuar. Prandaj RENA rrethon kryeministrinë dhe fle gjithë natën aty, ka frikë, nuk fle më ë Surrel. As te vila e kuqe.
Tani është futur në bunker dhe fle aty nga frika. Kot e ka. Kohët i ka. Edhe Maduro ishte futur në boksin e çeliktë. Edhe Maduro.
Diktatorët nuk shpëtojnë, nuk do shpëtojnë dhe as ky nuk do shpëtojë.
Gazeta RD