PD Vlorë dënon me forcë ndërhyrjen e policisë brenda ambienteve të universitetit

Partia Demokratike, Dega Vlorë, dënon ndërhyrjen e policisë brenda ambienteve universitare dhe pengimin e studentëve për të protestuar.

Përmes një deklarate, PD kërkon transparencë për urdhrat që çuan në ndërhyrje dhe i bën thirrje Prokurorisë së Vlorës të nisë verifikimet për përgjegjësit e mundshëm.

Deklaratë e Partisë Demokratike Dega Vlorë

Partia Demokratike, Dega Vlorë, dënon me forcë ndërhyrjen e policisë brenda ambienteve të universitetit dhe pengimin e studentëve për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për protestë.

Është e papranueshme që në një institucion të dijes, në auditorët ku duhet të kultivohet mendimi i lirë, të shfaqet policia me sjellje që krijojnë frikë dhe presion ndaj studentëve. Si mund të justifikohet prania e forcave të policisë brenda auditorëve, përballë të rinjve që kërkojnë të shprehin qëndrimin e tyre? Kush i ka dhënë të drejtën kujtdo që ta trajtojë universitetin si pronë të pushtetit?

Universiteti nuk është pronë e qeverisë. Studentët nuk janë vartës të pushtetit. Dhe policia nuk mund të përdoret si instrument për të frikësuar ata që guxojnë të ngrenë zërin.

Kur forca e uniformës vendoset përballë zërit të studentëve, kur në vend të dialogut shfaqet presioni dhe kur një e drejtë themelore trajtohet si problem për t’u shtypur, atëherë kemi të bëjmë me një situatë që kërkon përgjegjësi dhe transparencë të menjëhershme.

Auditorët nuk janë terren për aksione policore. Studentët nuk janë kriminelë. Protesta nuk është krim!

Partia Demokratike, Dega Vlorë, e konsideron këtë veprim një cenim serioz të frymës së lirisë akademike dhe të së drejtës së studentëve për t’u shprehur e protestuar në mënyrë paqësore. Asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta ngatërrojë qetësinë me heshtjen dhe autoritetin me frikësimin.

Ne kërkojmë transparencë të plotë për urdhrat që çuan në ndërhyrjen e policisë brenda universitetit, sqarimin e përgjegjësive dhe garantimin që studentët të mos pengohen apo intimidohen për shkak të ushtrimit të të drejtave të tyre kushtetuese.

Pushteti mund të ketë policinë, por nuk mund të ketë pronësinë mbi mendimin e lirë. Mund të vendosë uniforma nëpër korridore, por nuk mund ta mbyllë zërin e një rinie që kërkon të drejtat e saj.

I drejtohemi publikisht Policisë Vendore Vlorë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë!

I kërkojmë Policisë Vendore Vlorë të distancohet menjëherë nga çdo veprim i paligjshëm i kryer në ambientet universitare, të sqarojë përgjegjësitë për ndërhyrjen e ushtruar dhe të garantojë se uniforma e policisë nuk do të përdoret për të penguar apo frikësuar studentët që ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Policia e Shtetit ka detyrimin të zbatojë ligjin, jo të shërbejë si instrument presioni ndaj të rinjve që kërkojnë të shprehen lirisht. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë uniformë nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë ligjore.

I bëjmë thirrje Prokurorisë kompetente në Vlorë të nisë menjëherë verifikimet dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetimet e nevojshme për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo personi përgjegjës. Kërkojmë që ligji të veprojë pa selektivitet dhe pa ndikime politike, pavarësisht funksionit apo detyrës së personave të përfshirë.

Partia Demokratike, Dega Vlorë, deklaron se do ta ndjekë nga afër këtë situatë, do të kërkojë transparencë për çdo zhvillim dhe do të insistojë që çdo shkelje e mundshme e ligjit dhe e të drejtave kushtetuese të studentëve të marrë përgjigjen e merituar institucionale dhe ligjore.

Nuk do të pranojmë që universiteti të kthehet në hapësirë frikësimi dhe as që e drejta për protestë të trajtohet si shkelje. Studentët meritojnë respekt, jo presion; mbrojtje të të drejtave, jo pengim të tyre.

Partia Demokratike, Dega Vlorë, qëndron në mbështetje të studentëve dhe të së drejtës së tyre për protestë paqësore. Liria nuk është privilegj që jepet nga pushteti, por e drejtë që garantohet nga Kushtetuta.

As frikësim, as presion, asnjë tentativë për të heshtur rininë!

UNIVERSITETI ËSHTË TEMPULL I DIJES DHE I LIRISË, JO SKENË E FORCËS POLICORE!RE!

About Redaksia

Check Also

2500 euro çdo polici për të dhunuar rininë/ Reagimi i Kedhit për vendimin e Ramës

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi: Sot Edi Rama u tha policëve të Shqipërisë …