Përmes një deklarate të publikuar në Facebook, përfaqësia diplomatike u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.
Në reagimin e saj, ambasada thekson rëndësinë e së drejtës për tubim paqësor, duke e cilësuar atë si një element thelbësor të një shoqërie demokratike.
Zvicra u kërkon gjithashtu autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe mbrojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si dhe lirinë e medias për të raportuar mbi zhvillimet.
Një tjetër thirrje u drejtohet forcave të sigurisë, të cilave ambasada u kërkon të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Reagimi i plotë:
Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike.
U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Gazeta RD