Nga Bislim AHMETAJ
Për gati 30 vjet ka monologuar, ka ushtruar pushtet absolut dhe e ka trajtuar Shqipërinë si pronë personale.
Sot, papritur, iu kujtua dialogu!
Ai që ka parë gjysmën e kabinetit qeveritar dhe kryetarë të bashkive të përfundojnë në burg, nën akuza për korrupsion, shpërdorim detyre e fshehje pasurie, sot kërkon dialog.
Ai që ka bërë gjithçka për të dobësuar e përjashtuar opozitën, sot kërkon dialog.
Ai që prej më shumë se katër muajsh tallet me protestuesit, i stigmatizon dhe i bullizon, tani që protesta po ia trondit pushtetin, kërkon dialog.
Ai që ka shkelur çdo normë etike, ligje e kode morale, sot na shitet si apostull i dialogut!
Po me kë kërkon të dialogojë ky monologjist i shpërfytyruar?
Me ata që i vjedh?
Me ata që i shantazhon?
Me ata që i arreston e i burgos?
Me qytetarët të cilëve ua ka bërë atdheun të pajetueshëm?
Jo, Edi Marrja!
Dialogu nuk mund të jetë fjalimi yt i radhës.
Nuk është propagandë.
Nuk mund të përdoret si një tjetër manovër për të fituar kohë.
Tani të mbetet alternativa të përballesh me drejtësinë dhe të gjesh një studio avokatie që të të mbrojë përballë akuzave penale.
Dënimin moral të shqiptarëve nuk e zhbën dot, sado të përpiqesh.
Ti ndoshta vazhdon e sheh ëndrra me Neronin.
Por kujdes!
Mos të digjet para syve edhe karrigia kryeministrore dhe nga lidhja simbiotike që ke krijuar me të, ta djeg edhe menderen.
Nëse kërkon një rrugëdalje personale, ikja natën te Bibi mund të të duket shpëtim.
Por mbaje mend: nga përgjegjësia politike nuk arratisesh dot!
Dialogun me qytetarët e lirë e ke mbyllur vetë, prej kohësh!
Tani nuk të shpëton më as propaganda, as monologu, as ndonjë telefonatë ndërkombëtare.
Propaganda që ke imponuar nuk është dialog.
Dialogu nuk është mashtrim.
Dhe pushteti nuk është pronë e përjetshme.
Ik te BIBI, nëse aty e sheh shpetimin!
Por mbaje vath në vesh, nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve nuk ikën dot!
Mund të qëndrosh edhe për ca ditë në karrigen kryeministrore i mbështetur te forca e policisë së shtetit, të cilën po e baltos më keq se udhëheqësi i fundit komunist Ramiz Alia.
Por pushteti nuk mbahet përgjithmonë me forcë, as legjitimiteti nuk fitohet me propagandë.
Besimi politik nuk rikthehet me një thirrje të vonuar për dialog.
Shqipëria nuk ka nevojë për një monolog tjetër.
Ka nevojë për llogaridhënie, drejtësi dhe ndryshim!
Askush në këtë vend nuk dëshiron të dëgjoj monologjet tua bajate.
Edhe rilindasit më të thekur janë ngi me propagandë.
Tani është radha e brezit Z!
Brez që nuk pranon të jetë spektator i të ardhmes së vet.
Koha e monologut mori fund!
Tiranë me 20 Tetor 2026

Gazeta RD