KE reagon ndaj Ramës: Vendimet për kufizimin e lëvizjes u takojnë vendeve anëtare!

Pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama për kufizimin e lëvizjes së lirë të personave të përfshirë në protesta të dhunshme, Komisioni Evropian thekson se vendimet për lejimin ose refuzimin e hyrjes në territorin e vendeve anëtare janë kompetencë e tyre, bazuar në ligjet në fuqi.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të mërkurën një paketë masash legjislative dhe administrative ndaj personave të përfshirë në protesta të dhunshme, mes të cilave edhe kufizimin e hyrjes së tyre në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky paralajmërim bie ndesh me nenin 38 të Kushtetutës së vendit, e cila parashikon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë vendit. Por sipas Komisionit Europian, vendime të tilla bien në kompetencën e vendeve anëtare.

I pyetur nga BIRN nëse është ligjërisht e mundur që t’u kufizohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian protestuesve, pa një vendim individual gjykate, dhe nëse BE-ja do ta konsideronte një praktikë të tillë në përputhje me të drejtat themelore, lirinë e lëvizjes dhe prezumimin e pafajësisë, Komisioni Europian u përgjigj se “këto vendime u takonin shteteve anëtare”.

“Vendimet për lejimin ose refuzimin e hyrjes në territorin e shteteve të veçanta anëtare të BE-së bien në kompetencën e shteteve anëtare përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi të BE-së dhe atë kombëtar,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli thekson se Shqipëria, si vend kandidat, duhet të respektojë legjislacionin kombëtar dhe detyrimet ndërkombëtare për masat që lidhen me lëvizjen e shtetasve të saj. Kjo vlen edhe për nismat që synojnë të kufizojnë lëvizjen e personave të përfshirë në veprimtari të dhunshme.

Komisioni komentoi gjithashtu mbi gjetjet e Avokati i Popullit, monitorimi i të cilit konstatoi sipas raportit të fundit ‘probleme serioze’ në trajtimin e protestuesve të ndaluar nga policia nëpër komisariate; mbipopullim të dhomave të sigurisë, ankesa për trajtim jo të duhur të të miturve dhe dhunë dispropocionale të policisë.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër angazhimin e Shqipërisë për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore në kontekstin e negociatave të anëtarësimit,” tha Komisioni përmes zëdhënësit.

Në të njëjtin qëndrim, Komisioni nënvizon se “të marrësh pjesë në protesta paqësore është një e drejtë themelore në të gjitha vendet demokratike”, ndërsa shton se “dhuna nuk ka vend” dhe se autoritetet kombëtare janë kompetente për ruajtjen e rendit publik dhe zbatimin e ligjit.

Komisioni i referohet një qëndrimi të mëparshëm zyrtar për protestat në Shqipëri ku dënohen aktet e dhunës, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Në këtë qëndrim, KE thekson se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave ligjore, ndërsa reagimi ndaj dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.

About Redaksia

Check Also

Pedagogë, mësues e mjekë krah studentëve: Rama jepe dorëheqjen

Është shtuar numri i qytetarëve të mbledhur përballë Kryeministrisë, ndërsa situata paraqitet e qetë, pa …