Brukseli i alarmuar për dhunën ndaj protestuesve/ 12 eurodeputetë i kërkojnë Kaja Kallas hetim për policinë

12 eurodeputetë të Parlamentit Europian i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare për sqarime Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, lidhur me dhunën policore gjatë protestave në Shqipëri. Eurodeputetët kërkojnë hetime të pavarura për përdorimin e forcës nga policia, garantimin e të drejtave të personave të ndaluar dhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore.

Nisma është ndërmarrë me iniciativën e kreut të Delegacionit Austriak të Partisë Popullore Europiane (PPE), Reinhold Lopatka. Mes 12 eurodeputetëve që kanë firmosur kërkesën është edhe Fredi Beleri, anëtar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.

Në letrën drejtuar Kaja Kallas, eurodeputetët shprehin shqetësimin për përshkallëzimin e protestave në Shqipëri, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin, kostot e arsimit dhe situatën socio-ekonomike në vend.

Ata nënvizojnë se raportimet për përdorimin e plumbave prej gome nga policia, të cilët kanë plagosur protestues dhe gazetarë, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e forcës së përdorur nga autoritetet shqiptare. Në të njëjtën kohë, theksojnë se Avokati i Popullit në Shqipëri po shqyrton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjeve policore.

Një tjetër shqetësim i ngritur në dokument lidhet me garancitë ligjore për personat e ndaluar, veçanërisht për të miturit, të cilët duhet të gëzojnë mbrojtjen e parashikuar nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Kërkohet hetim i pavarur dhe përgjegjësi për dhunën policore

Eurodeputetët vlerësojnë se deklarata e Komisionit Europian e 18 tetorit, e cila dënoi dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, nuk e ka trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e llogaridhënies për shkeljet e pretenduara.

Për këtë arsye, ata kërkojnë që Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) t’i ngrejë drejtpërdrejt këto shqetësime pranë autoriteteve shqiptare dhe të kërkojë hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive.

Kërkesa përfshin jo vetëm përdorimin e forcës nga policia, por edhe pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e mundshme të të drejtave të personave të ndaluar. Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu që të shqyrtohet përgjegjësia e drejtuesve të operacioneve policore, të publikohen rezultatet e hetimeve dhe, kur të konstatohen shkelje, të merren masat e duhura gjyqësore ose disiplinore.

Të drejtat themelore, kusht për integrimin europian

Në letrën drejtuar Kaja Kallas, eurodeputetët theksojnë se të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ata kërkojnë që, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe përmes monitorimit të pavarur, të sigurohen garanci konkrete për të gjithë personat e ndaluar, me vëmendje të veçantë ndaj të miturve.

Një tjetër kërkesë lidhet me Grupkapitullin 1 – Themeloret, që përfshin çështje kyçe të sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe funksionimit të institucioneve. Sipas eurodeputetëve, aty ku vazhdojnë të evidentohen mangësi në llogaridhënien e policisë dhe mbrojtjen e të drejtave, duhet të përcaktohen angazhime të matshme për të parandaluar shkelje të mëtejshme.

Nisma e 12 eurodeputetëve e zhvendos çështjen e trajtimit të protestuesve në Shqipëri edhe në nivelin institucional europian, duke kërkuar që shqetësimet për ndërhyrjet policore të mos mbeten vetëm në nivel deklaratash, por të shoqërohen me hetime, transparencë dhe përgjegjësi konkrete.

Letra e plotë:

Me iniciativën e kreut të Delegacionit Austriak të PPE-së, Reinhold LOPATKA Demonstratat në Shqipëri kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike janë përshkallëzuar, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen e policisë.

Raportimet tregojnë se plumbat prej gome të qëlluar nga policia kanë plagosur protestues dhe gazetarë, ndërsa Avokati i Popullit në Shqipëri po heton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga policia. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e garancive të përshtatshme për të miturit e ndaluar.

Deklarata e Komisionit e datës 18 tetor e dënoi me të drejtë dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por nuk trajtoi në mënyrë të mjaftueshme çështjen e llogaridhënies. Të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çfarë masash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për të:

1. Ngritur drejtpërdrejt këto akuza pranë autoriteteve shqiptare dhe për të kërkuar hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive mbi përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e të drejtave të personave të ndaluar, përfshirë përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore, me publikimin e rezultateve dhe marrjen e masave të duhura gjyqësore ose disiplinore në vijim?

2. Kërkuar garanci, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në Shqipëri dhe përmes monitorimit të pavarur, që të gjithë personat e ndaluar, veçanërisht të miturit, të përfitojnë nga garancitë ligjore të kërkuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut?

3. Siguruar që angazhimet në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht ato që lidhen me llogaridhënien e policisë dhe të drejtat themelore, të ndiqen në mënyrë të qartë aty ku vazhdojnë të evidentohen mangësi, duke përcaktuar angazhime të matshme për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme?

About Redaksia

Check Also

Berisha: Beteja e narkodiktatorit ndaj studentëve do të jetë fundi i tij i turpshëm, sot e gjithë Shqipëria është në Tiranë!

Kryetari i PD, Sali Berisha, iu përgjigj interesit të mediave në prag të protestës kombëtare. …