Pedagogu Zydi Teqja komentoi protestën e studentëve, që vijon prej 14 ditësh në Tiranë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për News24, ai deklaroi se kryeministri nuk mund ta fitojë betejën me studentët, ndërsa theksoi se masat ndëshkuese të prezantuara prej tij, që i cilësoi si represive, nuk bëjnë pjesë në një shoqëri demokratike.
Ai hodhi dyshime se qeveria mund të ketë lejuar elementë të dhunshëm në protestë, duke shtuar se personat me maska mund të ishin identifikuar nëpërmjet kamerave inteligjente, me të cilat qeveria krenohet.
“Unë kam bindjen se askush nuk mund ta fitojë betejën me studentët. Këto masa represive nuk i shkojnë një shoqërie demokratike. Ato mund të trembin për një periudhe të shkurtër kohe disa individë, por në planin më afatgjatë, do të kenë efekte të kundërta dhe do t’i bindin akoma më shumë njerëzit për drejtësinë e protestave. Çdo qytetar është kundër dhunës.
Përpjekja për t’i dhënë protestës tipare të theksuara dhune është përpjekje djallëzore, për të deligjitimuar të drejtën e protestës. Një shembull është ajo se për 4 muaj protesta paqësore nuk u respektua. Unë kam dyshimin tim se qeveria është e interesuar për elementë të dhunshëm në protestë. I referohem një fakti të thjeshtë. Dihet që qeveria ka kamera inteligjente dhe deklarojnë se këto kamera mund të identifikojnë persona të maskuar. Pse nuk kemi ne një listë personash që sulmuan bankat dhe bizneset private”, tha ai.
Gazeta RD