Ky është normaliteti i ri që po jeton Tirana prej 13 tetorit 2026: protestë, përplasje, dhunë, zjarrvënie, kaos, arrestime dhe universitete thuajse në kolaps… disa karrige ironike dialogu, që janë të destinuara të thyhen.
“Kam një mesazh për të gjithë të rinjtë. Mos u dorëzoni, ne do t’ia dalim!”, u shpreh Eva Pango, protestuese.
Kjo është aktivistja Eva Pango. Ajo, u kthye në simbol të qëndresës dhe frymëzim për mijëra të rinj që gjetën tek Eva, arsyen për një përballje edhe më të vendosur.
Në ditët e para të protestës, ajo u plagos rëndë në kokë duke u transportuar drejt spitalit në gjendje të rëndë për jetën. Pas 12 ditësh, fatmirësisht, Eva la spitalin por, shenjat e goditjes që për pak sa nuk i mori jetën, janë ende prezente.
“Nuk kisha asgjë nëpër duar dhe nuk po bëja thirrje për dhunë, asgjë thjeshtë duke qëndruar në vijën e para, dy hapa para protestuesve të tjerë. Ata të armatosur deri në dhëmbë, unë asgjë dhe unë pësoj frakturë zhytëse. Kam frakturë zhytëse që nga sinusi, që nga vetulla poshtë, që nga kocka e syve dhe deri sipër te balli. Vazhdoj ta kem Akoma, nuk duket ndoshta me sy direkt, por vazhdoj ta kem thyerjen e kafkës”, u shpreh protestuesja, Eva Pango.
Rasti i saj është padyshim ndër më të dhimbshmit. Eva tregon se nuk ka arritur të identifikojë personin që e ka qëlluar, por, kanë nisur hetimet për ngjarjen.
“Po ta kisha mbajtur mend individin do të ishte tani pas hekurave, por po përpiqemi ta identifikojmë, ka nisur hetimi. Shumë e vështirë, sepse ka ardhur nga majtas, jo nga rreshti i pare. Madje nuk jam e sigurt nëse ka qenë polic me uniformë, apo ka qenë civil”, u shpreh protestuesja, Eva Pango
Eva, nuk është studente, por është një prej aktivisteve të reja që kanë mbështetur këtë protestë. Ajo ka qenë pjesë e asaj që njihet si protesta e Flamingove. Një qëndresë që kishte pikënisje dhunën e ushtruar nga rojat private ndaj qytetarëve që protestonin për heqjen e gardhit të vendosur në Zvërnec nga investitorët.
“Kur nisi protesta e flamingove, unë s’kam dashur kurrë ta quaj si protestë flamingosh, sepse më duket se bëhet shumë pink, shumë rozë. Ishte qasja e një grupi të caktuar që e nisi për ta quajtur revolucion flamingosh. Për mua, ne jemi shqiponja dhe vetëm shqiponja”, u shpreh protestuesja, Eva Pango
“Flamingot” u përçanë mes tyre pavarësisht se ia dolën ta mbajnë gjallë protestën. Akuzat nisën mes tyre për kapje nga qeveria, pati përçarje, sherre mes palëve dhe përfundimisht, studentët vendosën një mënyrë më të ashpër të reagimit të tyre përballë institucioneve.
“Thamë ore si u mblodhën kaq shumë, nuk ishte protestë e vogël, ishin 200 mijë veta në shesh, pavarësisht se për shkak të problemeve të brendshme u reduktua goxha shumë numri i protestuesve”, u shpreh Eva Pango.
“Sepse gjithë këto kontradikta çuan në krijimin e disa grupeve që kishin mendime të ndryshme. Unë e para nisa, dhe thashë kjo nuk bëhet me këngë e me valle. Kisha dale shumë e revoltuar aty, ashtu si shumë të tjera dhe nuk isha që të dilnim 2 orë me fjalime të kontrolluara, Rama jepe dorëheqjen dhe kaq. Nuk isha për këtë pjesë”, u shpreh protestuesja.
“Unë nuk kam bërë kurrë as hedhje guri, as hedhje granatash. Nuk e kam për natyrë, unë në natyrë kam retorikën”, u shpreh Eva Pango.
“Mua më ka rënë granatë lotsjellëse cilindrike. Kjo ka qenë e zezë dhe cilindrike, jo ato klasike. Drejt e në ballin tim ishte goditja. Më pas humba ndjenjat, sheshi u la me gjak dhe nuk mbajt mend më gjë”, u shpreh Eva.
Ajo tregon se stafi mjekësor bëri maksimumin, por flet dhe për problematikat e bluzave të bardha me mangësitë që kishin.
“Nuk mund të mohoj stafin se si janë sjellë. Sistemi me difiçitet e veta është tjetër gjë, njerëzit janë tjetër gjë. Reanimacioni ishte në gjendje shumë të keqe, kam qëndruar 3 ditë aty u gëzova që dola në pavion. Ishte shumë problematik. Kishte vetëm një maskë oksigjeni dhe e aklonin dorë më dorë. Hiqja Lenën dhe vërja Prenës, shumë e rëndë, tjetri mund të vdesë kur ia heq oksigjenin. Pacientët duke vdekur në reanimacion te muri bëheshin punime, unë e kisha kafkën e hapur e dëgjoja”, u shpreh Pango.
Grupi radikal i protestuesve, veç fokusit kundrejt institucioneve, shënjestroi dhe biznese të ndryshme te cilat i mendojnë si afër qeverisë, apo që kanë ndikuar për keq në jetën e tyre. Bankat e nivelit të dytë, kompanitë celulare, kompanitë e mikrokredive ishin shënjestra e preferuar.
“Revolucion është fjalë e madhe, por jemi në kufijtë e një revolucioni. Çdo shpërthim pakënaqësie është akumulim i një momenti të caktuar. Ndonjëherë kur kalon ai momenti zor se përsëritet më. E tillë ishte protesta e studentëve, ishte momenti për ndryshim të madh u shua me lloj sabotimesh, të brendshme, të jashtme, fjeti për ca vite dhe ja ku jemi sërish. U rindez sërish. Nuk mund ta marrim këtë si një shkëputje nga revolta popullore”, u shpreh Eva Pango.
Për Evën, studentët dhe aktivistët që ndodhen në shesh, këto forma protestash, duket tashmë sikur janë kthyer në një mënyrë jetese.
“Unë nuk do të heq dorë, nuk është se kam dale nga spitali më e thyer dhe më e rënë. Kam dale më e motivuar kur pashë se sa mbështetje dhe solidaritet kam marrë”, u shpreh protestuesja.
“Nuk të bën më përshtypje gjë dhe shumë protestues që janë rrahur dhe janë rrahur do të dalin më të motivuar, sepse kur kanë provuar dhe drurin thonë se s’kemi për të humbur gjë. Nuk funksionon me dhunë me shqiptarët, ta harrojnë sepse do u kthehet mbrapsht. Në spital shpresoj të mos kthehem më kurrë, në protestë do kthehem që çke me të”, u shpreh Eva Pango.
/Inside Story
Gazeta RD