Në mbledhjen e sotme (29 tetor) të Këshillin Bashkiak të Tiranës, nënkryetari i Këshillit, Dorian Teliti, ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave kundër qeverisë.
Teliti u bëri thirrje përfaqësuesve socialistë që të reagojnë ndaj dhunës policore kundër të rinjve që protestojnë dhe të bashkohen me ta në protestë.
“Na duhet reagim për ata të rinj që kanë ngrënë shkopinj gome në protestë. Për atë të riun që iu thye këmba nga shkopi i gomës, apo për ata të rinj që janë rrahur. Ju shumë mirë që flisni për Erion Veliajn, por flisni edhe për qytetarin e thjeshtë, për atë njeri që nuk ka shpresë. Ka vend për të futur emigrantët, por jo studentët në konviktet tona. Flasim për problematikat e transportit, apo edhe për protestën e studentëve që po mbahet tani para Ministrisë së Arsimit.
Të flasim për atë qytetarin e pafajshëm, që nuk i janë mykur eurot në xhep, sepse nuk ka. Sot në bulevard protestojnë të rinjtë, prej 15 ditësh, sepse nuk kanë shtëpi. Nuk kanë ku të rrinë. Për këtë duhet të flasim këtu. Kur futem në këtë sallë, ndiej lloj-lloj parfumesh të shtrenjta. Nëse i keni blerë me para korrupsioni, haram i paçi! Duhet të ngriheni të shkojmë në protestë. I ftoj të gjithë: ngrini menderen nga karrigia dhe bashkojuni protestës”, deklaroi Teliti.
Gazeta RD