Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka akuzuar Edi Ramën se po përdor përjashtimet nga Kuvendi për të penguar përfaqësimin e opozitës dhe të qytetarëve në debatet parlamentare, veçanërisht gjatë shqyrtimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
E ftuar në SYRI TV, Vokshi deklaroi se janë marrë 33 vendime për përjashtimin e 17 deputetëve të opozitës, ndërsa për veten tha se gjatë një viti është përjashtuar për 90 ditë.
Ajo theksoi se përjashtimet nuk kufizohen vetëm në seancat plenare, por pengojnë edhe pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës në komisionet parlamentare.
Sipas saj, kjo ndodh në një moment kur opozita duhet të përfaqësojë edhe kërkesat e qytetarëve që marrin pjesë në protesta, përmes amendimeve dhe propozimeve ligjore.
Vokshi vuri në dukje se 14 deputetë të PD-së, pjesë e lidershipit të grupit parlamentar dhe drejtimit të komisioneve, janë përjashtuar për 60 ditë. Sipas saj rreth 140 mijë qytetarë mbeten pa përfaqësim në këtë periudhë.
“Janë 33 vendime, për 17 deputetë të opozitës, midis të cilëve edhe unë. Unë jam përjashtuar, në një vit, jam përjashtuar 90 ditë. Kjo do të thotë që jam përjashtuar tre muaj nga një vit.
Praktikisht mua më është hequr mandati që ma ka dhënë qytetari, që ma ka dhënë populli, më është hequr mandati nga sekretariati i Ulsi Manjës. Nga sekretariati i atyre deputetëve që janë aty me votat e krimit dhe jo me votat e qytetarëve.
Ka deputetë të tjerë të cilët janë përjashtuar edhe katër muaj…
Kjo sigurisht është pengim në një farë mënyre ose tentativë për të penguar pjesëmarrjen e plotë të opozitës qoftë në seanca plenare, po ne po përjashtohemi edhe nga komisionet. Mos harro që në situatën kur janë protestat dhe ne duhet të jemi, dhe kemi qenë, dhe jemi zëri i protestuesve, duke çuar në mënyrë konkrete të gjitha kërkesat e tyre, sepse kemi çuar amendime ligjore, për të zhbërë ligje apo për të amenduar ligje duke iu referuar kërkesave të të hershme të opozitës, por edhe të protestuesve.
Mos harro që këtë javë është prezantuar, para dy ditësh, është prezantuar paketa fiskale dhe propozimi për buxhetin e shtetit të 2027-ës. Dhe 14 deputetët janë pjesë e lidershipit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Janë kryetari i grupit parlamentar, nënkryetarët e grupit parlamentar, janë kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh parlamentare. Pra praktikisht, praktikisht, ne po na mohohet e drejta kushtetuese për të qenë përfaqësues të qytetarëve.
A e mendoni dot që 14 deputetë, secili prej tyre nëse bëjmë një llogaritje krejt të thjeshtë, 14 deputetë që janë sot të përjashtuar me 60 ditë, që nuk do munden që të jenë pjesë e komisioneve dhe të seancave plenare. Shumëzim për 10 mijë mesatarisht, 10 mijë vota, 10 mijë qytetarë që mund t’i kenë votuar se aq do një deputet. Po a e dini ju që mbeten pa u prezantuar, pa u përfaqësuar pra qytetarët, 140 mijë qytetarë.
140 mijë qytetarë dhe pa u përfaqësuar dhe pa u prezantuar kërkesat e tyre në seancat për buxhetin e shtetit, pa u përfaqësuar shtresa të ndryshme.
Kemi një javë të tërë, në çdo ditë të javës do diskutohet buxheti, komisioni ku unë jam nënkryetare komisioni, të hënën fillon me prezantimin e buxhetit, ku do paraqitet ministri i Jashtëm dhe zëvendësministri i Financave.
Praktikisht mua më mohohet e drejta ime kushtetuese për të qenë aty përfaqësuese e qytetarëve. Megjithatë, përveç meje edhe Tomor Alizoti, po ashtu që është pjesë e komisionit ku unë jam nënkryetare është i përjashtuar me 60 ditë.
Pra edhe pse jemi më të pakët në numër, po na e pengojnë, po bëjnë tentativë që të na pengojnë pjesëmarrjen në komisione, debatin, diskutimin në komisione dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Sigurisht jam e sigurt, do jenë në lartësinë e tyre deputetët e tjerë të opozitës për të prezantuar pra, për të ngritur çështje të ndryshme të këtij buxheti të prezantuar dhe të kësaj pakete fiskale, që është paketa e rrënimit të bizneseve, e rrënimit të investimeve të bizneseve të huaja, si dhe paketa e varfërimit të mëtejshëm dhe shpopullimit”, deklaroi Vokshi.
Gazeta RD