Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Edhe pse në kulmin e protestave, Partia Demokratike do të përcjellë shqetësimet e qytetarit që lidhen me deklarime për keqmenaxhim të fondeve publike, shpenzimet dhe tenderat e zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH.
Ndër procedurat e prokurimit është veçuar tenderi me objekt: ‘Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2’ për 48 muaj, me fond limit rreth 9 milion euro. (906,933,333 lek)

Për këtë kontratë 48-mujore, RTSH-së ka shpallur fitues një bashkim operatorësh i cili jo vetëm që nuk paraqiti ofertën më të ulët, por çmimi i ofruar prej tij ishte 99% e vlerës limit.

Sipas rezultatit të këtij tenderi, shqiptarët do të paguajnë 4 vite rresht , rreth 6700 euro çdo ditë për shërbimin e mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2.

Ashtu si mediat kanë raportuar, njëri prej anëtarëve të vlerësimit të ofertave të kësaj procedure ka kundërshtuar mënyrën e vlerësimit duke ngritur shqetësime se, nga tri ofertat e paraqitura, konkurrenca reale u reduktua në një ofertë të vlefshme.

Është edhe më shqetësues fakti që edhe në prezencën e mungesës së konkurrencës, sipas deponimeve, të të njëjtit burim, bashkimi i operatorëve i shpallur fitues nuk plotësonte kriteret teknike, rrjedhimisht në vend të shpallej fitues duhej të ishte skualifikuar dhe tenderi të anulohej.

Kontraktor i disa kontratave me Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH, njëri nga pronarët pjesë e bashkimit të operatorëve shpallur fitues është lakuar shpesh si një ‘klient’ i përhershëm i tenderave të majmë, njëkohësisht jo i panjohur për telashe me ligjin, me masa arresti etj.
Në vitin e largët 2013 Partia Demokratike ka akuzuar ministren e mbrojtjes të kohës për aferën e fikjes së radarëve, dhe kompania që disponohet nga i njëjti person në cilësinë e kontraktorit, ka qenë pjesë e polemikave me kontratën përkatëse.
Paratë e RTSH-së janë më së shumti para publike, ndaj Partia Demokratike kërkon të merren parasysh shqetësimet e ngritura nga qytetarët, të kryhet hetim për mënyrën si menaxhohen paratë publikë pranë këtij institucioni, të ketë transparencë dhe penalitete ligjore në rast shkeljesh.
Gazeta RD