BIRN: Veliaj pretendon se Rama i kërkoi dorëheqjen nga Bashkia përmes një mesazhi kërcënues

Kryebashkiaku Erion Veliaj pretendoi përmes avokatit të tij se ministri i Drejtësisë i kishte përcjellë një mesazh kërcënues nga Rama në burg për të dhënë dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që ministri Gogu i hedh poshtë këto pretendime si stisje të pavërteta.

Plarent Ndreca, avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pretendoi të hënën se klienti i tij ishte kërcënuar nga kryeministri Edi Rama, përmes një mesazhi të përcjellë në burgun e Fierit nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas avokatit Plarent Ndreca, Gogu e kishte takuar Veliajn në burg në emër të kryeministrit Rama për t’i kërkuar atij dorëheqjen nga Bashkia e Tiranës, duke e shoqëruar këtë kërkesë edhe me kërcënime.

“Veliajt i është kërkuar dorëheqja si kryetar i bashkisë, të pranojë që ka gisht te ‘Flamingot’ dhe të heqë dorë nga këshilltari i tij ligjor, pra nga unë,” tha Ndreca për BIRN.

Ndreca nuk sqaroi nëse klienti i tij do të ndërmerrte hapa ligjorë lidhur me këto kërcënime.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu deklaroi përmes një statusi në platformën X se ishte takuar me Veliajn në burgun e Fierit të premten, por mohoi kategorikisht t’i kishte përcjellë atij ndonjë mesazh nga kryeministri.

“Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij,” shkroi Gogu.

“Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni. Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë,” shtoi më tej Gogu, duke theksuar se ishte “vërtet i befasuar”.

Pretendimet për kërcënimin e Veliajt vijnë pak ditë pas transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit përmes një procedure të kontestuar. Në mungesë të një urdhri të shkruar, Veliaj e denoncoi transferimin si politik dhe “rrëmbim policor”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e zhvlerësoi transferimin e Veliajt si një “procedurë standarde”, por deklaroi se urdhri i transferimit ishte klasifikuar si “sekret shtetëror”.

Pretendimet e kryebashkiakut u bënë shkak për një monitorim nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në burgun e Fierit, i cili evidentoi problematika serioze në respektimin e të drejtave dhe garancive ligjore të Veliajt, veçanërisht lidhur me mungesën e transparencës për arsyet e transferimit, klasifikimin e urdhrit si informacion i kufizuar dhe pengesat për ushtrimin e ankimit efektiv.

Në një deklaratë publike të hënën, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre shqetësime edhe për ndërprerjen e komunikimeve me familjarët, mungesën e dokumentacionit mjekësor, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e sigurisë në institucion.

“Paraburgimi nuk nënkupton humbjen e të drejtave që nuk janë kufizuar me ligj ose vendim gjyqësor dhe se siguria nuk mund të përdoret si argument i përgjithshëm për të shmangur transparencën, proporcionalitetin dhe kontrollin gjyqësor,” thuhet në deklaratën e KSHH.

Trajtimi i Veliajt në burg ka shkaktuar përplasje edhe në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste të enjten, ku sipas raportimeve mediatike, deputeti Bledi Çuçi i kërkoi shpjegime ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Sipas të njëjtave raportime, kryeministri Edi Rama e ka akuzuar Veliajn si të përfshirë në “Revolucionin e Flamingove” që kërkon rrëzimin e tij nga pushteti.

Kryetari i Bashkisë Tiranë ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe zhvilloi një betejë gjyqësore ndaj prokurorit të çështjes së tij, Ols Dado./Reporter.al

About Redaksia

Check Also

“Veliaj kërcënohet me 100 vite burg në këmbim të Bashkisë”/ PD: Hetim urgjent për shantazhin mafioz të Ramës, Gogut dhe Hajdarit

Deklaratë e Partisë Demokratike Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të …