Projektbuxhet që nuk garanton rritjen ekonomike

(Pjesa e dytë)

Nga Bujar Leskaj

Ky shkrim është në vijim të të shkrimit “Rama-fisko 2027: si i masakron qytetarët dhe biznesin me taksa!”. Do të shpjegoj në disa shkrime, se si projektbuxheti i shtetit 2027 dhe paketa e tij fiskale , me masat absurde që po ndërmerr, rrit çmimet për mallrat jo-ushqimore dhe shërbimet për qytetarët, shton kostot për biznesin dhe ul konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë, në vend që të stimulojë rritjen ekonomike të fuqishme dhe t’i mbrojë qytetarëve tanë nga rënia në varfëri.
Në këtë shkrim, theksoj disa mangësi kryesore të buxhetit dhe paketës fiskale 2027, si më poshtë:
– Rritja e pamjaftueshme ekonomike për vitin 2027
Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon një rritje ekonomike prej 3.9 për qind. Për një vend si Shqipëria, me nevoja të mëdha zhvillimore, me nivele ende të ulëta të të ardhurave për frymë dhe me një potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar, një rritje tillë është krejtësisht e pamjaftueshme.
Një ekonomi që synon të afrohet realisht me standardet europiane duhet të krijojë ritme më të larta dhe më të qëndrueshme zhvillimi. Potencialet e Shqipërisë në bujqësi, industri përpunuese, energji, turizëm, teknologji dhe shërbime me vlerë të shtuar janë të tilla që, me politika të përshtatshme ekonomike dhe institucionale, mund të synohet një rritje reale prej 7–8 për qind të PBB-së për një periudhë të konsiderueshme 3-4 vjeçare. Por këtë objektiv sekti Rama në qeverisje, që synon vetëm të vjedhë dhe të abuzojë, nuk ka si ta ketë.
– Një ekonomi që rritet, por nuk transformohet!
Shqetësimi më i madh është struktura e rritjes ekonomike. Edhe për vitin 2027, një nga sektorët kryesorë mbi të cilët pritet të mbështetet zgjerimi ekonomik është ndërtimi.
Ndërtimi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonominë tonë në dy dekadat e fundit, por mbështetja e tepërt tek ky sektor ngre pikëpyetje serioze për qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të modelit tonë të zhvillimit.
Ndërtimi është një sektor ciklik, i ndjeshëm ndaj kërkesës, kostove të financimit dhe zhvillimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Ai mund të prodhojë ritme të shpejta rritjeje për një periudhë, por nuk mund të zëvendësojë asnjëherë industrinë prodhuese, bujqësinë moderne dhe sektorët eksportues.
Çmimet e larta të banesave të reja i kanë bërë ato të paarritshme për pjesën dërrmuese të popullsisë, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet e reja. Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të ekonomisë sonë, të ushqyer dhe shndërruar në sistem nga sekti i korruptuar që kemi në qeverisje: ndërtohen gjithnjë e më shumë banesa, ndërkohë që gjithnjë e më shumë qytetarë kanë gjithnjë e më pak mundësi për të blerë një shtëpi! Sipas platformës ndërkombëtare Numbeo, një çifti të ri me të ardhura mesatare tek ne, i duhen 17.2 vite pune më të ardhura të plota të dedikuara, për të blerë një apartament. Raporti midis çmimit të banesës dhe të ardhurave ka krijuar një pengesë të rëndë ekonomike dhe sociale, duke kontribuar në emigracionin masiv të të rinjve nga Shqipëria.
Kur rritja e ndërtimit nuk përkthehet në strehim të përballueshëm, por pasuron gjithnjë e më shumë oligarkët përrreth Ramës që sigurojnë lejet e ndërtimit, ajo nuk zgjidh një problem social, por vijon ta thellojë gjithnjë e më shumë problem themelor ekonomik të shqiptarëve, të shtimit të papërballueshëm të kostos së jetesës dhe të uljes gati në zero të mundësisë për të blerë një shtëpi.
Pamundësia për të krijuar një familje në kushte normale, për të blerë një banesë dhe për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme ekonomike është kthyer në një burim të madh pakënaqësie për të rinjtë. Në këto kushte të rënda dhe klime pasigurie, emigracioni nuk është vetëm një zgjedhje personale, por gjithnjë e më shumë një alternativë ekonomike, ndaj mungesës së perspektivës në vend.
– Industria dhe bujqësia: alarmi që nuk duhet injoruar!
Ndërkohë që ndërtimi dhe turizmi vijojnë të ushqejnë rritjen e pamjaftueshme ekonomike, industria prodhuese dhe bujqësia përballen prej kohësh me vështirësi serioze.
Këta janë dy sektorë që kanë një rëndësi strategjike për ekonominë kombëtare. Industria prodhuese krijon vende pune, rrit eksportet, nxit përdorimin e teknologjisë dhe gjeneron vlerë të shtuar. Bujqësia, nga ana tjetër, nuk është vetëm një sektor ekonomik; ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore,me jetesën në zonat rurale dhe me frenimin e shpopullimit të fshatit.
Vazhdimi i recesionit në këta sektorë përbën një sinjal alarmi të fortë për strukturën e ekonomisë sonë dhe për rrugën që kemi marrë. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke importuar pjesën më të madhe të produkteve që mund t’i prodhojë vetë, ndërsa ekonomia e saj humbet konkurrueshmërinë. Kemi burime natyrore, klimë të favorshme dhe potencial njerëzor për të zhvilluar prodhimin bujqësor dhe agro-përpunimin, por këto potenciale kërkojnë politika të qarta dhe afatgjata zhvillimi, të cilat sekti Rama ka 14 vjet që nuk po i zbaton!
Në të kundërt, ky sekt ka sjellë, me indiferencën totale dhe me korrupsionin e tij me fondet e Buxhetit të Shtetit dhe të programit IPARD II, braktisjen masive të zonave rurale, shtimin me herë të sipërfaqes së tokës djerrë, mungesën e theksuar të fuqisë punëtore, kosto të shtuara të inputeve dhe prodhimit bujqësor, si dhe konkurrencë shkatërruese nga importet.
– Paketa fiskale dhe rreziku i skajshëm i rritjes së çmimeve
Projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit 2027, me uljen e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë xhiro vjetore për bizneset e vogla, rrit ndjeshëm kostot administrative dhe fiskale për 17.500 sipërmarrje. Me rritjen e TVSH-së nga 20 në 21 përqind për të gjitha mallrat që nuk janë ushqime të shportës, si dhe për të gjitha shërbimet, 118 milionë euro që Buxheti parashikon të marrë nga TVSH-ja e shtuar në vitin 2027, do të refektohen në të gjitha në rritjen e çmimit final të produkteve dhe shërbimeve
Ekonomia e përditshme nuk funksionon me masa të izoluara. Kur rriten kostot për biznesin, pjesa më e madhe e tyre transferohet tek konsumatori, nëpërmjet çmimeve të shtuara. Kjo do të thotë se përfitimi nga ulja e TVSH-së për 54 artikujt e ushqimeve të përditshme jo vetëm zbehet nga rritja e kostove dhe çmimeve në pjesët e tjera të tregut, por praktikisht zerohet!.
– Familjet me të ardhura të ulëta përballë një presioni të dyfishtë
Rritja e çmimeve nuk prek të gjithë qytetarët në të njëjtën mënyrë. Familjet e varfra dhe ato me të ardhura të ulëta shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqime, strehim, energji dhe nevoja të tjera bazë. Për këto familje, edhe një rritje e vogël e kostos së jetesës ka pasoja të mëdha. Ky projektbuxhet dhe kjo pakete fiskale 2027 rrezikon t’i kalojë familjet me të ardhura të pakta në familje të varfra.
Me këtë projektbuxhet dhe paketë fiskale, rritja ekonomike nuk shoqërohet me rritje reale të të ardhurave dhe me përmirësim të fuqisë blerëse. Projektbuxheti dhe paketa fiskale 2027 të qeverisë Rama bëjnë që jo vetëm pjesa dërrmuese e qytetarëve të mos përfitojë nga rritja e vakët ekonomike, por do të rritet ndjeshëm numri i familjeve që jetojnë në kufijtë e varfërisë ose që rrezikojnë të bien në të.
xxx
Kur të rinjtë përballen me paga që nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën dhe me çmime banesash që nuk mund t’i përballojnë, emigracioni bëhet një alternativë gjithnjë e më e fortë.
Sekti Rama ka krijuar një rreth vicioz: largohen të rinjtë dhe forca aktive e punës, bizneset përballen me mungesë punonjësish, kapaciteti prodhues dobësohet dhe ekonomia mbështetet edhe më shumë tek sektorë që nuk krijojnë një bazë të qëndrueshme zhvillimi.
E vetmja zgjidhje ngelet dëbimi i këtij sekti që ka marrë peng ekonominë dhe mbarë shoqërinë e Shqipërisë.
Rritja ekonomike ka vlerë të vërtetë vetëm atëherë kur qytetari e ndien atë në jetën e përditshme: në një pagë më të mirë, në ushqime të përballueshme, në mundësinë për të blerë një banesë dhe, mbi të gjitha, në bindjen se e ardhmja e tij mund të ndërtohet në Shqipëri.

About Redaksia

Check Also

Një llogari edhe në Netflix, pikturat familjare dhe…/ BIRN: Gjurmët e Ballukut në vilën e fshehur në Dhërmi

Një llogari në Netflix, pikturat familjare dhe komunikimet për ndërtimin e një pishine janë disa …