Momente kaotike dhe përplasje fizike janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Kryeministrisë, ku protestuesit janë përballur me ndërhyrjen e forcave të policisë, ndërsa disa vajza kanë përfunduar në ambulancë pas përdorimit të sprajit me piper.
Pavarësisht pranisë së qytetarëve përpara automjetit, furgoni ka vijuar lëvizjen, duke i shtyrë protestuesit që ndodheshin në rrugën e tij.
“Kriminelë!”, kanë qenë thirrjet e qytetarëve, të cilët kanë kundërshtuar veprimet e efektivëve.
Situata është tensionuar më tej, duke sjellë përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë përdorur edhe spraj me piper, i cili ka shkaktuar shqetësime te disa prej pjesëmarrësve në tubim.
Përplasjet vijnë pas shoqërimit të Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, të cilët, sipas informacioneve paraprake, refuzuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura nga policia.
Në zonën përpara Kryeministrisë kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”, ndërsa ndërhyrja e policisë dhe përdorimi i sprajit me piper kanë shkaktuar tensione të vazhdueshme gjatë protestës.
Studentët dhe qytetarët ndodhen prej disa orësh përpara godinës së qeverisë, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me përplasjet, përdorimin e sprajit me piper dhe incidentin me furgonin e policisë.
Gazeta RD