Kartonat e Parlamentit

Nga Arlind Bajaj, Sekretar për Organizimin, Partia Demokratike Vlorë

Nuk është e vështirë të kuptosh se në çfarë gjendjeje ka përfunduar Parlamenti Shqiptar, mjafton të përmendësh vetëm disa prej emrave të deputetëve “viral” të Partisë Socialiste. Aty ku dikur duhej të përfaqësohej mendimi, kultura, intelekti dhe interesi i qytetarëve, sot shpesh përballesh me një nivel që të bën të pyesësh se si është e mundur që njerëz të tillë të kenë marrë përsipër të përfaqësojnë një popull të tërë. Nuk bëhet fjalë më për debat politik, përplasje idesh apo qëndrime të ndryshme. Bëhet fjalë për një Parlament ku injoranca është bërë aq e zakonshme, saqë ndonjëherë duket sikur është kthyer edhe në kriter përzgjedhjeje.
Mjafton të përmendësh disa emra për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Zegjine Çaushi, Briseida Çakërri, Sara Mila e të tjera si këto, të cilat me paraqitjet dhe deklaratat e tyre publike kanë arritur të kthejnë foltoren e Parlamentit në një skenë ku shpesh mungon gjithçka, përveç sigurisë me të cilën flasin. Është vërtet e habitshme se si mund të flasësh me aq bindje për çështje që duket se nuk i ke kuptuar as vetë. Nuk mund të kërkosh që çdo deputet të jetë akademik, profesor apo intelektual i një fushe të caktuar. Por të paktën duhet të ketë një nivel minimal kulture, formimi dhe përgjegjësie. Duhet të dijë çfarë përfaqëson, çfarë flet dhe mbi të gjitha, çfarë voton. Sepse të ulesh në një karrige parlamentare nuk të bën automatikisht të denjë për të qenë deputet. Mandati nuk është certifikatë inteligjence dhe as një titull që të jep të drejtën të thuash çfarë të të vijë ndërmend, pa pasur asnjë përgjegjësi përpara qytetarëve, përpara atyre shqiptarëve që kanë votuar për mandatin tënd.
Krahasimi me Parlamentin e parë shqiptar të dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 tregon më së miri nivelin e Parlamentit sot. Një institucion ku u ulën figura të tilla si Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Prishtina, e shumë të tjerë. Njerëz me formim, me kulturë, me kontribut dhe me një peshë të jashtëzakonshme në jetën politike, intelektuale e kombëtare të Shqipërisë. Mjafton të lexosh disa prej emrave të asaj kohe për të kuptuar se çfarë përfaqësonte një mandat deputeti. Luigj Gurakuqi, intelektuali dhe atdhetari që punoi për ndërtimin e shtetit shqiptar. Gjergj Fishta, një nga emrat më të mëdhenj të kulturës dhe letërsisë sonë. Ndre Mjeda, gjuhëtari dhe poeti që i dha aq shumë gjuhës shqipe. Ali Këlcyra dhe Hasan Prishtina, figura të rëndësishme të politikës dhe çështjes kombëtare.
Nuk po flasim për njerëz që kishin vetëm një mandat deputeti në CV-në e tyre. Po flasim për figura që kishin krijuar emrin e tyre shumë përpara se të uleshin në ato karrige. Njerëz që kishin çfarë të thoshin, kishin çfarë të shkruanin dhe kishin çfarë t’i ofronin Shqipërisë. Njerëz që nuk kishin nevojë të justifikonin çdo dalje publike, sepse formimi dhe kontributi i tyre flisnin vetë. Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi. Atëherë, Parlamenti ishte një vend ku përplaseshin mendje dhe ide. Atëherë, deputeti duhej të kishte personalitetin e tij. Ndërsa sot, duket se mjafton të kesh numrin e duhur në listën e partisë dhe gatishmërinë për të ngritur dorën kur të vijë momenti.
E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, një pjesë e këtyre personazheve, në vend që të reflektojnë pas çdo daljeje të pakëndshme publike, zgjedhin të mbrojnë edhe injorancën e tyre. Fillojnë postimet në rrjetet sociale, replikat, justifikimet dhe përpjekjet për t’ua hedhur fajin të tjerëve. Njëherë është laps, njëherë lapsus, njëherë është keqkuptim dhe njëherë tjetër është nxjerrje jashtë kontekstit. Me sa duket, në këtë vend nuk mjafton më të gabosh, duhet të kesh edhe një justifikim të gatshëm për çdo gabim.
Në fakt, do të ishte shumë më e ndershme të pranonin se nuk ishin përgatitur, të reflektonin dhe të përpiqeshin të mos përsërisnin të njëjtat gabime. Por jo! Këtu duket se është më e rëndësishme të mbrohet imazhi sesa të përmirësohet niveli. Më e rëndësishme të bëhet një status në Facebook sesa të lexohet një material para se të dalësh në foltoren e Parlamentit. Dhe kjo është një tjetër dëshmi e qartë e mënyrës se si trajtohet sot përgjegjësia publike.
Megjithatë, problemi nuk përfundon te disa deputete që nuk dinë të artikulojnë një mendim apo që kthehen në objekt ironie për shkak të deklaratave të tyre. Problemi është te një mazhorancë që e ka kthyer Parlamentin në një mekanizëm votash, ku rëndësi nuk ka se kush flet, çfarë thotë apo sa i përgatitur është, por vetëm nëse do të votojë ashtu siç i është kërkuar. Sepse këta mund të jenë gjithçka tjetër, por deputetë në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk janë. Nuk mund të krahasohen me figurat që përfaqësuan Shqipërinë në vitet e para të parlamentarizmit, as me formimin, as me kontributin dhe as me përgjegjësinë që ato figura kishin ndaj vendit. Sot, shumë prej tyre nuk janë gjë tjetër veçse kartona që ngrihen dhe ulen sipas urdhrit të Shefit të Madh. Instrumente që përdoren kur duhen votat, që duartrokasin kur duhet duartrokitur dhe që heshtin kur duhet heshtur. Në një Parlament të tillë, deputeti nuk është më përfaqësues i qytetarëve, por përfaqësues i vullnetit të kryetarit. Nuk ka rëndësi nëse një ligj është i drejtë apo i gabuar, nëse një vendim i shërben vendit apo dëmton qytetarët. Rëndësi ka urdhri që vjen nga lart.
Për disa, mandati parlamentar duket se është thjesht një mundësi për të siguruar përfitime të tjera. Një vend pune për njerëzit e afërt, një emërim në ndonjë drejtori, një tender për miqtë apo interesa të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me arsyen për të cilën qytetarët u kanë besuar votën. Në këto kushte, është e qartë se përse nuk ka shumë rëndësi nëse deputeti di të flasë, të debatojë apo të mbrojë një qëndrim. Për sa kohë që di të bindet dhe të votojë, duket se e ka përmbushur detyrën e tij. Por Shqipëria nuk ka nevojë për kartona në Parlament. Ka nevojë për njerëz që mendojnë, që dinë të flasin, që kanë integritet dhe që nuk e shohin mandatin si një mundësi për të përfituar personalisht. Ka nevojë për deputetë që nuk kanë frikë të kundërshtojnë, që nuk presin urdhra për të formuar një mendim dhe që e kuptojnë se përgjegjësia e tyre është ndaj qytetarëve dhe jo ndaj një njeriu të vetëm.
Dikur, në karriget e deputetit uleshin Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Prishtina. Sot, kemi një Parlament ku disa prej atyre që duhet të përfaqësojnë qytetarët nuk arrijnë as të përfaqësojnë denjësisht veten e tyre.
Nga përfaqësues të një kombi, në kartona të një pushteti. Ky është degradimi i vërtetë i Parlamentit Shqiptar!

About Redaksia

Check Also

Këmbanat e alarmit të Progres Raportit 2026!

Nga Onkel Petriti, anëtar i Kryesisë PD Vlorë Progres-Raporti 2026 i Komisionit Evropian, i publikuar …