Progres-raporti i BE, Alimehmeti: Shqipëria po zbrazet, realiteti larg standardeve europiane

Anëtari i Kryesisë së PD, Ilir Alimehmeti ka komentuar progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se rrugëtimi drejt Bashkimit Europian dhe realiteti që përjetojnë qytetarët janë dy gjëra të ndryshme.

Alimehmeti u shpreh se 95% e shqiptarëve mbështesin integrimin në BE dhe se të gjitha forcat politike duhet të punojnë për realizimin e këtij objektivi.

Megjithatë, sipas tij, Shqipëria po ecën më ngadalë nga sa duhet, ndërsa shqiptarët e kanë bërë tashmë zgjedhjen europiane, shpesh duke u larguar nga vendi.

Duke iu referuar funksionimit të tregut dhe konkurrencës, Alimehmeti ngriti pikëpyetje mbi mundësinë që kompanitë të konkurrojnë realisht në tenderat publikë, ndërsa përmendi edhe shqetësimet e ngritura nga institucionet europiane për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investitorët strategjikë.

“95% e shqiptarëve duan integrimin në BE. Të gjitha forcat politike duhet të punojnë drejt arritjes së këtij integrimi. Jam rritur me këtë konceptin ‘drejt Europës’, por nuk e pamë kurrë.

Më përpara është bërë popullata europiane, por Shqipëria është larg. Në BE duhet të afrohesh në vlera dhe në treg ekonomik. A është aty ku duhet Shqipëria? Është më ngadalë seç duhet. Çfarë kemi në realitet nga BE-ja? Mendojmë se një bashkim ekonomik mund ta bëjmë siç duhet? Për shembull, hapet një tender. Sa i ka shanset kompania që të fitojë tenderin? Në një kohë kur ne i kemi tenderat me flamuj të kuq, pasi i kanë të qarta ndarjet e tenderave.

Të erdhi një votim nga Parlamenti Europian, ku u tha: duhet moratorium për zonat e mbrojtura. Të erdhi një vërejtje për ligjin për investitorin strategjik. Rrugëtimi dhe ajo që shohim janë dy gjëra të ndryshme. Po shohim një rrugëtim të shqiptarëve, që ikin dhe emigrojnë.

Bëhen europianë përmes Rinasit. Kur do të jetë Shqipëria një vend europian? Për drejtësinë nuk di çfarë të them, se kemi kapur ish-kreun e SHISH-it. Realiteti shqiptar, nga dalja e progres-raportit këto ditë dhe atij që doli para një viti, është: ikja e shqiptarëve është ndaluar apo jo?! Bashkimi Europian është bashkim i demografisë, i njerëzve. Shëndetësia, arsimi dhe siguria janë të minuara. Rrënim nga të gjitha anët, ç’vlerë ka raporti i BE-së? I ke vendet të rrënuara. Si qenkemi mirë në letër, kur po na ikin të gjithë kalamajtë? Do të jetojmë vetëm”, tha ai.

About Redaksia

Check Also

“Arrestoni Ramën”/ Studentët nuk e ndalin revoltën para Kryeministrisë

Me thirrjet “Arrestoni Ramën” dhe “Policia e krimit”, protestuesit edhe sot në mbrëmje kanë dalë …