Në Shqipëri, thuajse të gjitha produktet, qofshin ushqimore apo jo, kanë pësuar rritje të vazhdueshme të çmimeve. Por mes tyre, gazi i lëngshëm është produkti që ka regjistruar rritjen më të madhe.
Madje, mund të thuhet se çmimi i këtij produkti është dyfishuar krahasuar me vetëm disa muaj më parë.
Në shkurt të këtij viti, një litër gaz i lëngshëm në pikat e karburanteve shitej nga 40 deri në 43 lekë, si për mbushjen e bombolave të gazit për qytetarët, ashtu edhe për përdoruesit e automjeteve me sistem gaz-benzinë.
Por, me nisjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, tregtarët në Shqipëri nxituan të rrisnin menjëherë çmimin e gazit me afro 10 lekë për litër.
Që prej asaj kohe, çmimi i gazit, ashtu si edhe ai i karburanteve të tjera, ka vijuar të rritet, por me një ndryshim të dukshëm. Ndërsa nafta dhe benzina janë shtrenjtuar nga 175 në maksimumi 220 lekë për litër, pra me rreth 26 për qind, çmimi i gazit është rritur me thuajse 100 për qind.
Më konkretisht, këtë të enjte, gazi i lëngshëm shitej në shumicën e pikave të karburanteve me 79 lekë për litër. Krahasuar me çmimin prej 40 lekësh që kishte në shkurt, kjo përfaqëson një rritje prej 97.5 për qind.
Por kjo nuk është e gjitha. Në janar, me hyrjen në fuqi të Paketës së re Fiskale, gazi do të tatohet edhe me 1 pikë përqindje më shumë TVSH, ndërsa çmimi i tij pritet të kapërcejë 80 lekë për litër. Ky çmim është dyfish më i lartë se në Kosovë.
Ndryshe nga nafta dhe benzina, gazi nuk përfiton ulje çmimi nga heqja e taksës së qarkullimit, pasi tatohet në bazë të akcizës.
Ndërkohë, qytetarët detyrohen të paguajnë gjithnjë e më shumë dhe të përballojnë kostot në rritje të jetesës, qeveria nuk ka ndërmarrë masa për të frenuar shtrenjtimin, duke u mjaftuar me mbledhjen e taksave.
Jo pa qëllim, gazi është lënë edhe jashtë kontrollit të Bordit të Transparencës, ndonëse, ashtu si për karburantet e tjera, edhe për të linjat e furnizimit dhe te tregtimit funksionojnë në të njëjtën mënyrë si për naftën dhe benzinën.
Gazeta RD