Berisha: Narko-eurot u kanë grabitur shqiptarëve 250 miliardë lekë kursime! Çmimet në Shqipëri janë rritur 6 herë më shumë se në BE

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe pastrimi i tyre në Shqipëri po shkaktojnë pasoja të rënda në ekonominë e vendit, duke zhvlerësuar kursimet e qytetarëve dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve.

Në konferencën për mediat ditën e sotme, Berisha deklaroi se nga viti 2020 deri në vitin 2025, qytetarët shqiptarë kanë humbur rreth 250 miliardë lekë nga zhvlerësimi i depozitave në euro dhe dollarë.

Sipas shifrave të paraqitura prej tij, depozitat individuale në euro janë rritur nga 965 milionë euro në vitin 2020 në 2 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa kursi i këmbimit të euros ka rënë nga 123.7 lekë në 96.7 lekë. Berisha theksoi se vetëm nga zhvlerësimi i kursimeve në euro qytetarët kanë humbur 236 miliardë lekë, ndërsa duke përfshirë edhe depozitat në dollarë, humbjet arrijnë në rreth 250 miliardë lekë.

Kryetari i PD e lidhi këtë zhvlerësim me hyrjen e parave nga aktivitetet kriminale në ekonominë shqiptare, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet se nuk po marrin masa për të frenuar fenomenin.

Berisha iu referua edhe një ankete të revistës “Monitor”, sipas së cilës 89% e bizneseve dhe 67% e individëve të pyetur e konsiderojnë negativ ndikimin e zhvlerësimit të euros në ekonominë e tyre.

Ai kundërshtoi gjithashtu argumentin se rënia e euros lidhet kryesisht me rritjen e numrit të turistëve, duke sjellë si shembull vitin 2022, kur, sipas shifrave që prezantoi, pavarësisht fluksit prej 9 milionë turistësh, euro këmbehej me 127 lekë.

Sipas Berishës, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë përmes hedhjes në treg të sasive të mëdha të lekut për të blerë euro kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Ai deklaroi se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Europian, duke thelluar hendekun mes pagave dhe kostos së jetesës.

Gjatë konferencës, Berisha u ndal edhe te protesta studentore, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit të së shtunës në mbështetje të studentëve. Ai e cilësoi suksesin e revoltës studentore si një sukses për të gjithë shqiptarët.

Sa i përket bashkëpunimit me partitë e reja opozitare, lideri opozitar përsëriti ftesën për krijimin e një fronti të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës, me synimin për krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e reformës zgjedhore.

I pyetur se kush do ta zëvendësonte Edi Ramën në rast largimi nga pushteti, Berisha e cilësoi këtë pyetje si komprometuese dhe deklaroi se Shqipëria ka qindra politikanë dhe intelektualë që mund të marrin përgjegjësinë për të rivendosur shtetin ligjor.

“Të shtrosh pyetjen ‘Të ikë narkodiktatori, po kush do vijë?’, do të thotë të jesh skllav i narkodiktatorit”, u shpreh Berisha.

FJALA E PLOTË

Së pari, një thirrje miqësore për çdo qytetar shqiptar, të bashkohemi nesër në protestën më të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore kundër Padrinos së Shqipërisë, kreut të organizatës kriminale, narkodiktaturës që ka vendosur ai.

Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend.

Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri.

Është sukses për kombin shqiptar, i cili po e boshatis këtë vend ndër më të pasurit në Evropë dhe në botë.

Është sukses i shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Ndaj dhe thirrja ime është: të gjithë me studentët, të gjithë për studentët, për suksesin e revoltës së tyre.

Studentët kanë dëshmuar kulmet e guximit të shqiptarëve.

Studentët kanë habitur shqiptarët dhe botën me trimërinë, sakrificat, vendosmërinë e tyre.

Ata meritojnë çdo mbështetje.

Të gjithë në Tiranë, të gjithë me studentët!

Të dashur qytetare dhe qytetarë, jam këtu për të folur përsëri e përsëri për një armik të egër që po gërryen në mënyrë të pamëshirë ekonominë tuaj, xhepat tuaj, sigurinë tuaj.

Për një armik të egër që është dhe plazma e regjimit diktatorial autoritar në Shqipëri.

Dhe ky armik është narkoshteti, për të cilin numërohen me gishtërinjtë e dorës ata që u flasin.

Për të cilin mediat e qeverisë kanë moratorium për të mos e përmendur kurrë.

Por, nga ana tjetër, përbën fuqinë e të keqes ndaj shqiptarëve.

Kam denoncuar me qindra mijëra herë dhe do vazhdoj të denoncoj aspektet më dramatike të narkoshtetit janë pikërisht mbi ekonominë e shqiptarëve, mbi xhepat e shpiptarëve, mbi bizneset e shqiptarëve.

Atë që mediat në Shqipëri në tërësi e fshehin, atë që në tërësi politikanët nuk guxojnë ta shqipërojnë, apo gazetarët, përveç ndonjë gazetari trim dhe guximtar, ai në fakt është faktori me fuqi të verbër shkatërruese mbi shqiptarët.

Unë do t’u njoh ju sot me të dhënat e pasojave katastrofike të narkoeurove që trafikantët e lidhur me qeverinë sjellin në Shqipëri me vagona, me kontejnerë, me avionë, me mikrobusë dhe mjete të tjera.

Kam zgjedhur për këtë së pari kursimet.

Në vitin 2020, qytetarët shqiptarë si individë kishin të depozituar 965 milionë euro.

Në vitin 2025, këto depozita kanë arritur në 2 miliardë euro.

Kursi i këmbimit në lekë në vitin 2020 ishte 123.7 lekë për euro.

Kursimi i këmbimit në vitin 2025 ra në 96.7 lekë për euro. Pra ra me 27 lekë.

Çfarë pësuan kursimet?

Kursimet në euro nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë zhvlerësuar 236 miliardë lekë.

Shqiptarët, që me të drejtë, duke e konsideruar euron si monedhë më të çmuar dhe më të palëvizshme, kanë depozituar paratë e tyre në euro në banka dhe kanë pësuar një humbje të tmerrshme prej 236 miliardë lekë.

Imagjinoni, qindra mijëra shqiptarë kanë humbur vetëm nga ky kurs rreth 30 përqind të kursimeve.

Nuk po ndalem tek depozitat e tjera, u mora vetëm me depozitat e individëve.

Këtu kemi depozitat në dollarë.

Në dollarë kanë qenë në vitin 2020, 102 milionë.

Janë në vitin 2025, 107 milionë.

ursi i këmbimit ka qenë 100.8 lekë dhe ka zbritur në 82.46 lekë. Ka rreth 15 miliardë humbje.

Pra, po të marrim depozitat në euro dhe dollarë, shqiptarët kanë humbur për shkak të trafikantëve të drogës, pasurimit të trafikantëve të drogës dhe të narkozyrtarëve, narkoshtetarëve, kanë humbur 250 miliardë lekë kursime.

Impakti i narkoeurove, për të cilat institucioni themelor që duhet të ngrejë zërin është Banka e Shtetit, por edhe ajo është në ndikim të plotë të narkoshtetit dhe narkoeurove dhe nuk flet asnjë fjalë.

Mediat, që duhet të flasin shpërblehen nga qeveria me narkoeuro dhe kartele dhe ju fshehin qytetarëve.

Tani ja çfarë thonë biznesmenët dhe qytetarët.

Një anketë e realizuar nga revista prestigjioze shqiptare ‘Monitor’, krejtësisht e pavarur, çfarë tregon?

Se të pyetur për ndikimin e narkoeuros, 89% e bizneseve deklarojnë ndikim negativ. Ja ku e keni. Zhvlerësimi është fjala.

Dhe 67% e individëve deklarojnë se ka ndikim negativ në jetën e tyre, në ekonominë e tyre.

Si mendon se ndikon zhvlerësimi i euros në ekonominë vendase? 29% thonë shumë keq. Ndikon keq 45%. Pra 74% e vlerësojnë se ndikon negativisht.

Mirë ata që mbushin xhepat me narkoeuro, 16 përqind.

Ndikon shumë mirë, këta janë narkotrafikantët, oligarkët, këta janë raca e krimit.

Nuk ndikon, nuk e përceptojnë, janë 5 përqind.

Por 75% shumë keq, keq.

Uroj që mediat të mos i censurojnë këto grafiqe, po t’i japin.

Tjetër, si ka ndikuar zhvlerësimi i euros në aktivitetin e biznesit tuaj, 89 përqind deklarojnë se ka ndikuar negativisht.

5 përqind janë ata narkosit që marrin titujt e investitorëve strategjikë.

Nuk ka ndikuar janë 5-6 përqind.

Shikoni se si e ndjejnë bizneset shqiptare dhe qytetarët shqiptarë këtë faktor shkatërrimtar, për të cilin mediat heshtin.

Dhe heshtja, thotë Edmond Burke, e keqja thotë ai, nuk do gjë më shumë për të triumfuar se heshtja juaj.

Në këtë aspekt, heshtja është një mbështetje për narkoshtetin.

Janë rritur kostot, janë ulur të ardhurat. Pra, janë rritur kostot dhe ulur të ardhurat.

Në ç’mënyrë ka ndikuar për keq në biznesin? 13% thonë janë rritur kostot, 38% thonë janë rritur të ardhurat. Ka përkeqësim edhe në të ardhura, edhe në kosto, deklarojnë 49%. Kjo është klima e biznesit, klima e drogës.

Janë pak a shumë tabelat që paraqita, pra me ulje të marzheve të fitimit, me rritje të çmimeve e të tjera.

Ky është një grafik jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Dëgjoni rëndom avoketërit e narkoshtetit dhe narko-euros, se euro ka rënë nga turizmi.

Por studimi i raportit të euros me turizmin e hedh absolutisht poshtë këtë pretendim.

Në vitin 2005 Shqipëria ka pasur 300 mijë turistë në vit. Në vitin 2007 Shqipëria ka pasur rreth 1 milion e 800 mijë turistë në vit. Raporti euro me lekë ka qenë 1 euro 120 lekë, kur Shqipëria kishte pra 1.8 milion turistë.

Shkojmë në vitin 2022. Për mashtruesit publikë që u thonë shqiptarëve se euro po bie nga fluksi i turistëve. Në vitin 2022, kur sipas statistikave të narkoqeverisë turistët arritën në 9 milion turistë nga 1.8 milion që ishin, euro konvertohej, jo më me 120, konvertohej me 127 lekë.

Dhe t’i bëjmë një pyetje zotit Guvernator dhe bordit të Bankës: Do mund t’u thoni prapë shqiptarëve se të maskoni narko-euron me turizmin?

Urdhëroni zotërinj. Në vitin 2022, euro konvertohej me 127 lekë, pavarësisht nga fluksi i turizmit prej 9 milionë. Që, sipas statistikave zyrtare, se absolutisht nuk e besoj se këta fusin në turistë të gjithë pasagjerët e linjave të lira, të aeroportit të Rinasit. Por po e marr atë shifër.

Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007 kur ajo konvertohej me 120 lekë.

Kështu që fluksi, domethënë, zhvlerësimi i euros dhe veçanërisht shiko çfarë rënie, thyerje qafe, nga viti 2022 e këtej, ku bosët e drogës, kartelet e drogës të Shqipërisë kanë pushtuar tregun e kokainës dhe janë transportuesit më kryesorë të saj në Europë, janë kontrolluesit dhe aksionerë kryesorë, ka rënë, këtu thotë 99 se është viti 2024, por sot është tek 91 lekë, 92 lekë.

Pra, ky është një zhvillim dramatik për ekonominë shqiptare, për shoqërinë shqiptare dhe për Shqipërinë.

Heshtja para këtij krimi monstruoz ndaj ekonomisë dhe xhepave të shqiptarëve është bashkëfajësi, është mbështetje për këtë zhvillim.

U ndala në këto aspekte, por ka një aspekt tjetër po kaq dramatik që ta dinë shqiptarët.

Çfarë ndodh me çmimet?

Banka e Shqipërisë, me të drejtë, jo në mënyrë të gabuar, detyrohet për të mbrojtur euron e Bashkimit Europian në Shqipëri, për ta mbrojtur sepse tonelatat që vijnë me kontejner, me kamionë, me avionë, me mënyra të ndryshme, ato e zhdukin lekun nga tregu sepse konvertohen në treg të zi.

Banka, për të shpëtuar euron nga një katastrofë edhe më e madhe, nxjerr në treg sasi kolosale leku.

Për shembull, që ta dinë shqiptarët, ka prerë letër, pa asnjë lidhje me prodhimin, por vetëm me narko-eurot, 90 miliardë lekë ka hedhur në treg në një vit për të blerë euro.

Çfarë ndodh me këtë? Kjo rrit çmimet. Rrit çmimet sepse këto lekë në qarkullim nuk janë hedhur për t’iu përgjigjur raportit të prodhimit. Jo.

Me ligjin natyral të ekonomisë, prodhimi dhe inflacioni shkojnë të lidhur njëri me tjetrin, janë raporte të pazgjidhshme. Në Shqipëri jo, s’ka lidhje me prodhimin.

Prodhimi bie, siç thotë, në qoftë se lexohet, raporti i Komisionit Europian dje thotë se Shqipëria ka rënie të produktivitetit.

Dhe megjithatë, çmimet në Shqipëri rriten. I rrit Banka, e detyruar, sepse Banka detyrohet të hedhë tonelata letër leku për të mbajtur euron që të mos bjerë në mënyrë edhe më katastrofale.  Kush e paguan këtë? Këtë e paguajnë xhepat e shqiptarëve. Ndaj dhe në Shqipëri, çmimet po të lexoni, janë rritur këto vite më shumë se në asnjë vend tjetër.

Ndaj në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë rritur gjashtë herë më shumë se në Bashkimin Europian.

Ndaj në Shqipëri pabarazia midis çmimeve dhe rrogave thellohet çdo ditë e më shumë.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Marsi Korreshi, Syri Tv: Për protestën e ditës së nesërme, për atë që ju bëtë thirrje që në krye të konferencës suaj, do jetë i njëjti skenar, pra do marshohet te Kryeministria dhe më pas bashkim me protestën studentore te Ministria e Arsimit apo do ketë ndonjë ndryshim të protestës? Faleminderit.

Sali Berisha: Do të jetë pak a shumë ai skenar, megjithatë do përcaktohet, por është gjithçka në mbështetje të studentëve. Është gjithçka në funksion të suksesit të tyre, të revoltës së tyre, është gjithçka në mbrojtje të studentëve.

Anisa Kadesha, RTSH: Z.Berisha, cila është oferta që ju keni për bashkëpunimin me partitë e reja opozitare, të cilat deri në këto momente janë shprehur skeptike për bashkëpunim me PD-në?

Sali Berisha: Ftesa ime është shumë e sinqertë.

Dhe unë u them këtyre drejtuesve të forcave politike, anëtarëve të saj, mbështetësve të tyre, se është një moment historik, në të cilin çdo shqiptar që konsideron të keqen më të madhe Edi Ramën, organizatën e tij kriminale, narkoshtetin e tij, bashkohet në një front të përbashkët për largimin e tij nga pushteti.

Nuk kemi të bëjmë këtu me një koalicion të themi, të linjave politike.

Kjo thirrje është për një koalicion që të përfshijë çdo faktor që do rrëzimin e Edi Ramës.

Në mënyrë që të krijojmë një qeveri teknike.

Në mënyrë që të bëjmë reformën zgjedhore dhe t’i hapim rrugën drejtësisë dhe shqiptarëve të votojnë të lirë. Shqiptarët të zgjedhin kandidatët dhe forcat politike që u besojnë më shumë.  Besoj se kjo ofertë meriton të shqyrtohet dhe rishqyrtohet.

Unë e kuptoj se ka patur shkëmbime jomiqësore midis faktorëve të ndryshëm opozitarë.

Por sot koha thërret më shumë se kurrë, t’i lëmë mënjanë ata, të bashkohemi kundër të keqes më të madhe dhe pastaj në një shoqëri që voton e lirë, secili merr vendin që i takon me votën e lirë.  Unë i kam dëgjuar kundërshtitë, por unë prapë i ftoj dhe prapë kam besim se ata që ndihen opozitarë të vërtetë, do të gjejnë forcën dhe moralin e këtij bashkimi.

Ftoj gjithashtu, faktorë të tjerë, të krijojmë një front të përbashkët opozitar, qoftë në protestë, qoftë në zgjedhjet vendore. Në mënyrë që të shënojmë hapa të tjerë në betejën kundër narkoshtetit, kundër Padrinos së Shqipërisë, i cili në fakt po rrënon Shqipërinë, më shumë se çdo vend tjetër.

Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, në pothuajse çdo panel televiziv shtrohet një pyetje: “Po iku Rama, kush do të vijë?” A keni ju një përgjigje për një pyetje të tillë?

Sali Berisha: Nuk ka pyetje më turpëruese, më komprometuese në rrafshin moral dhe ligjor sesa kjo pyetje.

Edi Rama është faktuar tashmë si ndërtuesi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë. I narkokracisë më të egër në planet.

Shqipëria është disa herë më narkoshtet se Kolumbia që prodhon kokainën, sepse Shqipëria është parajsa e larjes së parave të klaneve më të fuqishme të drogës në Europë dhe në botë.

Nuk e di a e patë një studim të fundit, 80% e ekonomisë shqiptare ishte përqendruar në Tiranë. Iku vendi. 80% e ekonomisë shqiptare në kullat, monumentet e drogës dhe korrupsionit. Katastrofë në rrafshin ekonomik.

Të shtrosh pyetjen “Të ikë narkodiktatori, po kush do vijë?”, do të thotë të jesh skllav i narkodiktatorit.

Po Shqipëria, në historinë e saj ka një njeri që ndërtoi narkoshtetin. Dhe unë jam i bindur se ka qindra e qindra politikanë, intelektualë, çdo gjë tjetër, të cilët nuk do e mbajnë kurrë në këmbë narkoshtetin, por do e zbërthejnë, do e shkatërrojnë, dhe do rivendosin shtetin ligjor.

Të konsiderosh të domosdoshëm Edi Ramën, dëshmon se je lidhur kokë e xhep me paratë e tij të krimit. Me narkoregjimin e tij.

Është unik, jo vetëm për Shqipërinë po për Europën.  Absolutisht, atë detyrë mund ta kryejnë mijëra e mijëra shqiptarë, të vendosur në atë post, pakrahasimisht më mirë, në qoftë se ata konsiderojnë drogën si superfuqinë të të keqes për këtë vend.

About Redaksia

Check Also

Reagimi i diplomates holandeze/ Njerëzit po protestojnë sepse shoqëria është e tensionuar

Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ka deklaruar nga Korça se dhuna e shfaqur …