
Studentët që prej javësh protestojnë kundër qeverisë dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen përballë masave të marra ndaj tyre.
Në një prononcim për mediat, Marku bëri të ditur se protestat e mëdha do të zhvillohen dy herë në javë, ndërsa kundërshtimi ndaj qeverisë do të vijojë çdo ditë. Sipas saj, ky organizim është i nevojshëm përballë asaj që e konsideron përdorim të dhunës dhe të ligjit në interes të pushtetit.
Studentja deklaroi gjithashtu se mënyra se si qeveria po përballet me protestuesit ka dëmtuar imazhin e politikës shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke veçuar kryeministrin Rama, për të cilin tha se reputacioni i tij para diplomatëve është lëkundur.
Marku u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë, ndërsa theksoi se zgjidhja duhet të vijë edhe përmes drejtësisë. Ajo kërkoi që SPAK të ketë mundësi të hetojë të gjithë zyrtarët, pa përjashtim për shkak të funksionit që mbajnë, nga ministrat dhe zëvendëskryeministri deri te kreu i qeverisë.
“Duhet që të lejohet SPAK të bëjë punën e vet, duke mos marrë parasysh nëse je ministër, zv.kryeministër apo kryeministër”, u shpreh studentja.
Gazeta RD