Një kontratë e re lobimi me shuma marramendëse ka shpërthyer në Uashington, e cila përfshin një biznesmen shqiptar i denoncuar publikisht nga opozita për lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama dhe një kompani të fuqishme lobimi në Uashington, e cila rezulton edhe si lobisti i fundit i Partisë Socialiste dhe kryeministrit shqiptar në qeverinë amerikane.
Bëhet fjalë për kompaninë Balkan Energy DMCC, e cila ka paguar plot 1.7 milionë dollarë vitin e kaluar tek Ballard Partners për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Fondet e lobimit janë paguar përmes Dubait, por ligjet e lobimit në SHBA kanë diktuar zbulimin e zotëruesve fundor të kompanisë Balkan Energy DMCC. Ajo është kompania Balkan Energy sha e regjistruar në Tiranë.
Pas kësaj kompanie qëndron familja e biznesmenit të njohur shqiptar Besnik Sulaj, i identifikuar gjerësisht në publik si “Beso i Tajvanit”. Dokumentet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) konfirmojnë se pronari i vetëm me 100% të aksioneve të kësaj shoqërie është vëllai i tij, Skënder Sulaj.
Megjithatë, historiku i pikave të regjistrimit zbulon se vetë Besnik Sulaj ka shërbyer si administrator i drejtpërdrejtë ligjor i kompanisë përgjatë gjithë periudhës intensive të vitit 2025, kohë kur u derdhën edhe miliona dollarët për lobim në Uashington, përpara se t’i dorëzonte zyrtarisht çelësat e administrimit në prill të vitit 2026.
Pagesa rekord
Sipas dokumenteve zyrtare të shpalosura në SHBA, Balkan Energy DMCC u kthye rrufeshëm në klientin kryesor dhe më të paguar të firmës Ballard Partners. Nga shuma totale prej 1.7 milionë dollarësh, vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2025 kompania pagoi një shpërblim të majmë prej 750,000 dollarësh.
Për ta vendosur në kontekst, kjo shumë është më e lartë se sa gjiganti teknologjik amerikan Palantir i pagoi të njëjtës firmë lobimi për të gjithë vitin. Përpara këtij hapi agresiv, balkan Energy kishte shpenzuar vetëm 25,000 dollarë në fillim të vitit 2024 përmes një firme tjetër ligjore.

Të dhënat zyrtare nga bilanci, tregon se balkan Energy ka regjistruar një humbje totale prej rreth 148 milionë lekësh ose 1.6 milionë euro në katër vitet e fundit të marra së bashku.
Kjo shifër krijon një paradoks të jashtëzakonshëm investigativ: si mundet që një entitet ekonomik, i cili sipas bilanceve zyrtare të dorëzuara në organet tatimore shqiptare operon në humbje të vazhdueshme dhe nuk prodhon fitime të qëndrueshme, të ketë kapacitet financiar për të paguar plot 1.71 milionë dollarë kesh (rreth 160 milionë lekë) për lobim në Uashington brenda një viti të vetëm?
Lobisti i Edi Ramës
Kjo nuk është hera e parë që firma e fuqishme e Uashingtonit, Ballard Partners, shfaqet në prapaskenat e politikës dhe biznesit shqiptar. Në vitin 2017, e njëjta firmë u pajtua si agjent i huaj nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama.
Në atë kohë, PS i paguante Ballard-it plot 20 mijë dollarë në muaj për t’i siguruar qeverisë mbështetje dhe komunikim me liderët e SHBA-ve, pikërisht kur qeveria Rama po përballej me presione të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe kritika nga opozita për manipulime dhe praktika të parregullta zgjedhore.

Dokumentet tregojnë se lobistët e Ballard Partners — ku përfshihet vetë Brian Ballard, partneri i lartë Sylvester Lukis dhe partnerja për Lindjen e Mesme, Jasmine Zaki — kanë mbrojtur interesat e kompanisë direkt në Departamentin e Shtetit (DASH), Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Zyrën e Shtëpisë së Bardhë. Misioni zyrtar i deklaruar ishte “ofrimi i asistencës dhe udhëzimit për depërtimin në tregjet e huaja të energjisë”.
Misioni i lobistëve të Ballard Partners — të udhëhequr nga vetë Brian Ballard (një njeri me influencë të jashtëzakonshme te Donald Trump) — ishte të ndërhynin direkt në Departamentin e Shtetit (DASH), Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Zyrën e Shtëpisë së Bardhë.
Pas skandaleve të njëpasnjëshme ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama është përballur me probleme të mëdha në Uashington, duke qenë praktikisht i izoluar nga ana diplomatike dhe pa qasje të drejtpërdrejtë në nivelet e larta të administratës amerikane.
A ishte përdorimi i një kompanie private, instrumenti i përpjekjeve të nëndheshme diplomatike për të siguruar një kanal të ri komunikimi me Uashingtonin zyrtar, sidomos në periudha kur qasja e drejtpërdrejtë shtetërore ka pasur vështirësi? /Kapitali.al/
Gazeta RD