Deputetja e PD, Jorida Tabaku, në “Këndin e fundjavës” ia ka kushtuar projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027. Ajo kundërshton përparësitë e shpenzimeve publike dhe kërkon një sistem fiskal të parashikueshëm, që mbështet punën, sipërmarrjen dhe prodhimin vendas.
Rritja e taksave nuk po përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët, ndërsa paratë e buxhetit drejtohen te kontratat koncesionare dhe projektet e parapëlqyera të qeverisë.
Tabaku e vendos debatin te fatura që paguajnë familjet: taksa më të larta, por edhe shpenzime nga xhepi për shëndetësinë dhe arsimin. Sipas saj, buxheti nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve për këto shërbime.
“Kur shpenzimet janë më të ulëta për shëndetësinë, më të ulëta për arsimin, familja paguan, sigurisht, vetë ato që nuk i mbulon shteti”, shprehet ajo.
Deputetja kundërshton rritjen e TVSH-së në 21%, përfshirjen në këtë skemë të bizneseve me xhiro nga 5 milionë lekë e sipër dhe rritjen e tatimit mbi dividendin. Ajo argumenton se këto masa shtojnë kostot për sipërmarrjet dhe presionin mbi çmimet, në një ekonomi ku prodhimi vendas përballet me vështirësi.
Përballë këtyre nevojave, Tabaku rendit fondet e parashikuara, sipas saj, për projektin “Smart City”, Bankën e Zhvillimit dhe pagesat për inceneratorin e Tiranës. Ajo ngre shqetësimin se detyrimet nga partneritetet publike-private po kufizojnë hapësirën për financimin e sektorëve që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve.
“I hiqet shëndetësisë, i hiqet arsimit, i hiqet zhvillimit të bujqësisë, i hiqet ekonomisë prodhuese, i hiqet qytetarëve”, deklaron Tabaku.
Si alternativë, deputetja propozon hartimin e një kodi fiskal dhe një marrëveshje të re me biznesin, që të garantojë rregulla të qarta dhe taksa të parashikueshme. Sipas saj, puna, dija dhe investimet nuk duhet të përballen me ndryshime të papritura të barrës fiskale.
Tabaku kërkon gjithashtu që shpenzimet publike t’i japin përparësi arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbështetjes së prodhimit vendas. Ajo e lidh këtë kërkesë me pakënaqësinë ekonomike të qytetarëve, duke theksuar se protestat shprehin edhe shqetësimin për taksat, pensionet dhe koston e jetesës.
Gazeta RD