Reforma zgjedhore/ Berisha: Gjiknuri po shkel ligjin duke përcaktuar agjendën e komisionit, opozita kërkon vetëm lista të hapura

Marsi Korreshi, SYR TV: Zoti Berisha, pas disa muajsh është rikthyer Komisioni për Reformën Zgjedhore në Kuvend. Cilat do të jenë propozimet që Partia Demokratike nuk i negocion dhe a druheni që reforma zgjedhore mund të ketë fatin e territoriales, pra për t’u miratuar në mënyrë të njëanshme nga socialistët?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.
E vërteta është se Damian Gjiknuri në kundërshtim me ligjin, vendimin e parlamentit për komisionin e reformës zgjedhore, për ta hedhur në erë këtë komision, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën çka nuk ka ndodhur kurrë.
Pikërisht për të hedhur në erë komisionin, sepse vendimmarrja në këtë komision është me veto, secila palë, të dy bashkëkryetarët. Dhe vegla e Edi Ramës, që quhet Damian Gjiknuri, pa miratimin e bashkëkryetarit tjetër kërkon të përcaktojë axhendën e mbledhjes, të cilën pala jonë nuk ia pranon sepse ka vendosur në axhendë çështje të reformës territoriale.
Edhe në këtë kuadër, ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura, e cila është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare.
Dhe ne, në mënyrë kategorike, nuk pranojmë asnjë lloj liste tjetër përveçse listë të hapur për këshilltarët.
Nuk pranojmë dhe nuk do pranojmë asnjë lloj sistemi tjetër përveçse listë të hapur për zgjedhjet parlamentare. Listë plotësisht të hapur për zgjedhjet parlamentare.
Për këtë ne jemi shumë, shumë transparent dhe të qartë. Nuk pranojmë!
Përfaqësuesit tanë kanë studiuar propozimet e forcave politike opozitare dhe konstatojnë se të gjitha ato bashkohen në një pikë, lista plotësisht të hapura.
Partia Demokratike do të qëndrojë me opozitën dhe opozitarët dhe nuk do të bëjë në këtë drejtim asnjë kompromis me partinë e krimit.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Agjencitë partnere të hetojnë dosjen “Albanian File” sepse është monumenti më i zi i drogës!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë deklaratës për shtyp u bëri thirrje agjencive partnere …