Gjykata e Posaçme është tërhequr në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin lidhur me të bashkëpandehurit e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilët po gjykohen veçmas në një proces me gjykim të shkurtuar.
Mes tyre është edhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka. Sipas njoftimit, vendimi për çështjen do të shpallet më 25 nëntor, në orën 15:30.
SPAK ka dhënë pretencën për të pandehurit në fraksionin e ndarë të dosjes “Veliaj”, duke kërkuar dënime me burg, gjoba dhe pezullim të ekzekutimit të dënimit për disa prej tyre.
Për biznesmenin Elman Abule, prokuroria ka kërkuar 7 vite burg, që me aplikimin e gjykimit të shkurtuar reduktohen në 4 vite e 8 muaj burg.
Për Adela Kondakçiun, SPAK ka kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, por për shkak të statusit të saj si bashkëpunëtore e drejtësisë ka kërkuar përjashtimin nga vuajtja e dënimit.
Për Ina Goxhajn, prokuroria ka kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit me vendosjen në shërbim prove për 5 vite.
Për Fatmir Bektashin, SPAK ka kërkuar 1 vit burg, të reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe pezullimin e dënimit dhe kryerjen e punës në interes publik.
Për Frosina Bollon, është kërkuar 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, si dhe pezullimi i dënimit me 1 vit e 6 muaj shërbim prove.
Për Fatjon Baçin, ish-punonjësin e Policisë së Burgjeve, SPAK ka kërkuar 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit me shërbim prove.
Ndërkohë, për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për pengim të drejtësisë, prokuroria ka kërkuar 600 mijë lekë gjobë, shumë e cila me aplikimin e gjykimit të shkurtuar reduktohet në 400 mijë lekë.
Për Flutura Xhanin, SPAK ka kërkuar 60 mijë lekë gjobë, të reduktuara në 40 mijë lekë.
Sa u përket subjekteve juridike, për kompaninë Rametal sh.p.k., të lidhur me Elman Abulen, është kërkuar 18 milionë lekë gjobë, e reduktuar në 12 milionë lekë. Për kompaninë Kontakt sh.p.k., të lidhur me Fatmir Bektashin, është kërkuar 583 mijë lekë gjobë, ndërsa për OJF-në Frobolus është kërkuar 500 mijë lekë gjobë, e reduktuar në 333 mijë lekë.
Gazeta RD