Eurodeputeti: Qeveria shqiptare duhet të dëshmojë pavarësi të gjyqësorit, forcim të shtetit të së drejtës dhe luftë kundër korrupsionit

Shqipëria ka mundësinë të përmbyllë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, por realizimi i këtij objektivi kushtëzohet nga rezultate konkrete në reformat kyçe.

Eurodeputeti bullgar i grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Andrey Kovatchev, thekson se përparimi drejt BE-së nuk mund të matet vetëm me hapjen e kapitujve apo angazhimet politike. Sipas tij, vendi duhet të dëshmojë pavarësi reale të gjyqësorit, forcim të shtetit të së drejtës dhe luftë efektive kundër korrupsionit.

Duke komentuar edhe zhvillimet e fundit politike dhe protestat në Shqipëri, Kovatchev u shpreh se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe e drejta për tubime paqësore të garantohet. Ai kërkoi gjithashtu hetim të çdo rasti të përdorimit joproporcional të forcës, duke theksuar se edhe aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës publike apo private nga protestuesit nuk duhet të mbeten pa u hetuar.

Eurodeputeti kërkoi që çështjet që lidhen me dhunën, lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive të marrin trajtim edhe në Parlamentin shqiptar. Ai bëri thirrje për dialog konstruktiv mes palëve politike.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me mbrojtjen e mjedisit. Kovatchev nënvizoi se projektet turistike, infrastrukturore dhe mjedisore duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve të pavarura të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve publike, në përputhje me standardet e BE-së.

Sipas tij, zhvillimi i turizmit nuk duhet të vijë në dëm të trashëgimisë natyrore, ndërsa përafrimi me Kapitullin 27 të legjislacionit evropian kërkon jo vetëm miratimin e ligjeve, por edhe zbatimin e tyre në praktikë.

About Redaksia

Check Also

Gazeta amerikane: Revolta studentore hyn në muajin e nëntë, rinia kërkon largimin e Ramës!

Nga Leo Vallet David, THE CONCORDIAN Mijëra shqiptarë marshuan në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, …