Nga Nikola KEDHI
Shqipëria po përjeton një katastrofë demografike, që po kërcënon të ardhmen e Shqipërisë.
Vetëm 5,787 fëmijë kanë lindur në tremujorin e tretë të vitit 2026, një rënie prej 10.5% krahasuar me një vit më parë dhe niveli më i ulët historik.
Në Shqipëri ka ndodhur rënia më e madhe në të gjithë Europën! Vetëm gjatë vitit 2025, bilanci i emigracionit ishte negativ me 28,500 qytetarë, ndërsa mosha mediane e popullsisë ka arritur në 45 vjeç. Kjo përkthehet në shkolla që mbyllen, fshatra që braktisen, qytete që zbrazen dhe një komb që po humbet të ardhmen.
Pas 13 vitesh sundim të Edi Ramës, Shqipëria është bërë një vend ku të rinjtë e kanë gjithnjë e më të vështirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Pagat nuk përballojnë koston e jetesës, blerja e një banese është kthyer në një luks të paarritshëm, ekonomia prodhuese po shkatërrohet dhe mijëra të rinj shohin emigracionin si mundësinë e vetme për një jetë dinjitoze.
Ndërkohë që qeveria mburret me kullat dhe miliardat e investuara në beton, familjet shqiptare kanë gjithnjë e më pak mundësi të blejnë një shtëpi, të rrisin fëmijët e tyre dhe të jetojnë me dinjitet në atdheun e tyre.
Kriza demografike nuk zgjidhet me propagandë dhe as me bonuse simbolike. Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor i modelit ekonomik dhe qeverisës, me taksa të ulëta, vende pune të mirëpaguara, mbështetje reale për familjet e reja, strehim të përballueshëm dhe një ekonomi që prodhon pasuri e mundësi për qytetarët.
Duhet t’u rikthejmë të rinjve besimin se mund të ndërtojnë të ardhmen këtu, pa qenë të detyruar të largohen nga vendi i tyre.
Shpopullimi i Shqipërisë është emergjencë kombëtare. Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për ndryshim qeverie, por për një model të ri zhvillimi që vendos familjen shqiptare, punën dhe dinjitetin njerëzor në qendër.
Pasuria më e madhe e Shqipërisë nuk janë kullat, koncesionet apo pasuritë nëntokësore. Janë shqiptarët! Pa shqiptarët, nuk ka të ardhme për Shqipërinë.

Gazeta RD