Policia nuk ka mundur ende të ekzekutojë vendimin e Apelit të GJKKO-së për arrestimin e ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri. Forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij, por nuk e kanë gjetur, pasi sipas informacioneve ai ndodhet prej disa muajsh jashtë vendit.
Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm e dënoi Bistrin me 11 vite burg për dosjen “Metamorfoza”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 7 vite e 4 muaj burg.
Megjithatë, sipas përllogaritjeve të prokurorëve të SPAK, Bistrit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.
Ndryshe nga vendimi i shkallës së parë, e cila në vitin 2025 e kishte shpallur fajtor vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete, Apeli e shpalli fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Gazeta RD