Anila Hoxha, TCH: Zoti Berisha, së fundmi Gjykata Kushtetuese ka miratuar një rregullore për rishikimet e subjekteve të shkarkuar nga proceset e vetingut, ku përfshihet dhe nuk përjashtohet pjesëmarrja e vëzhguesve të ONM-së në dhomë këshillimi të gjyqtarëve kushtetues. A mund të na jepni një qëndrim? Ka një qëndrim Partia Demokratike në lidhje me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për përfshirjen në mënyrë të paprecedentë të vëzhguesve në një dhomë këshillimi?
E para, dhe e dyta, ju vini në SPAK sot si kallëzues, vazhdimisht e keni kaluar këtë prag si person i pandehur dhe keni dhënë qëndrimet tuaja të vazhdueshme në raport me SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme. Fakti që ju sot jeni pyetur si deklarues edhe si kallëzues për çështjen Gjoka, tregon se ju ndërkohë vazhdoni të keni besim te SPAK?
Sali Berisha: Kjo s’do të thotë fare se unë kam besim tek SPAK, por unë vlerësoj, unë jam këtu sepse një gjykatëse e përgjegjshme ka urdhëruar që të pyetem.
Unë kur bëra kallëzimin penal, normalisht do të isha pyetur, apo jo? Nuk u pyeta. Kaq është. Domethënë, kallëzuesi nuk u pyet nga SPAK-u i partisë.
S’e lejonin pagesat e Irenës apo urdhrat e Ramës, atë unë nuk e di. Por gjëja më elementare ishte që kallëzuesi të pyetet apo s’është kështu? Ata nuk kanë bërë këtë detyrë dhe gjykatësja ka kërkuar të bëjnë këtë detyrë.
-Dhe për ONM-në, vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Sali Berisha: Po! Në mënyrë absolute. Asgjë që merr pushtetin e Parlamentit nuk mund të pranohet nga Partia Demokratike.
Unë po dëgjoj tani që ata do të jenë pjesë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është fund e krye antikushtetuese. Ky është një kompromis që Edi Rama bën në kuadrin e lobingjeve të tij, por kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës. Kushtetuta përcakton me një ligj të veçantë të gjithë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese.
Në qoftë se gjykatësit kushtetues mendojnë se mund ta shkruajnë atë ligj, mund t’i shtojnë amendamente apo të tjera, pastaj ata gabohen shumë rëndë. Nuk mund ta bëjnë këtë.
Natyrisht, ne do japim përgjigje zyrtare, juristët tanë po e studiojnë tërësisht këtë.
Si pretekst ka shërbyer një klauzolë që i kalon fazën përfundimtare të vetingut Gjykatës Kushtetuese, por i gjithë ky proces, sipas ekspertizave të para, është totalisht i paligjshëm mbasi janë marrë atributet e Parlamentit.
Gazeta RD