Gazetarja, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, në Vizion Plus ka dhënë detaje mbi zhdukjen e ish-zyrtarit të lartë të Policisë, Oltion Bistri, të cilin Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me 7 vite e katër muaj burg. Sipas saj, Oltion Bistri ka dalë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, por nuk dihet vendndodhja e saktë e tij.
“GJKKO e kishte dënuar zotin Bistri me vetëm 2 vite burg përfundimisht. Apeli e ndryshoi vendimin, e dënoi për korrupsion dhe pastrim parash dhe e rriti dënimin në 11 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, u dënua me 7 vite e 4 muaj burg. Apeli urdhëroi rikthimin e tij në burg.
Ditën e djeshme dhe sot, agjentët kanë zbarkuar në shtëpinë e zotit Bistri. Nga të gjitha informacionet, ai është jashtë vendit. Ka dalë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, por nuk dihet ku ndodhet. Për momentin, ai konsiderohet brenda vendit.
Zoti Bistri është një nga zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit, i akuzuar për favorizim të biznesmenit Gjoka. Ky është një dënim që ka një disbalancë mes dy vendimeve. Gjykata e Lartë do të vendosë se cili është më i drejtë.
Zoti Bistri nuk është arrestuar, por konsiderohet i shpallur në kërkim kombëtar. Bistri është ndër të parët zyrtarë që u arrestua në vitin 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i cili nisi nga SPAK. Rezulton se ai informonte Pëllumb Gjokën për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit”, tha Lala.
Gazeta RD