Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi është shprehur në një postim në rrjetet sociale rreth fjalëve të kryeministrit Edi Rama përpara gazetarëve në Irlandë.
Sipas Këlliçit, Rama është i vetmi kryeministër në Samitin Politik Europian që pyetet për protesta dhe për afera.
Për Këlliçin, mjaftojnë pyetjet për vezët e hedhura karshi Ramës dhe për kontratat në lidhje me pasuritë publike, për të krijuar një tablo të qartë se kush drejton Shqipërinë.
Sipas nënkryetarit të demokratëve, Rama është treguar arrogant dhe mendjemadh në Dublin, duke preferuar të sulmojë gazetarët, në vend të një dialogu të qetë me ta.
Postimi i Këlliçit
Gjatë ballafaqimit me median në aktivitetin që po mbahet në Irlandë në Samitin e Komunitetit Politik, Edi Rama është i vetmi Kryeministër që duhet të pyetet për protestën e bashkëqytetarëve që jetojnë aty ku organizohet aktiviteti dhe për aferat në vendin që ai drejton.
Gazetarët e huaj e pyesin për vezët e hedhura ndaj tij nga shqiptarët e Irlandës dhe për pazaret e tij personale me pasuritë publike. Kaq mjafton për të kuptuar se kush është Kryeministri i Shqipërisë, në krahasim me gjithë të tjerët e pranishëm në atë takim.
Dhe si në çdo rast tjetër, ai tregon arrogancë dhe mendjemadhësi idiote para pyetjeve shumë të thjeshta. Më shumë sulmon gazetarët se sa përgjigjet.
Fodullëku i Kryeministrit më të korruptuar në Europë dhe më i urryeri në vendin e tij, është olimpik. Kjo tanimë nuk është sekret, e dinë gazetarët në çdo vend të Europës e më gjerë!
Gazeta RD