Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se 95% e rritjes ekonomike në Shqipëri përfundon në duart e karteleve të drogës dhe qeveritarëve, ndërsa qytetarët përballen me varfërim të vazhdueshëm.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kukës, Berisha prezantoi si një nga angazhimet e PD-së krijimin e agjencive kombëtare dhe ndërkombëtare për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme, duke vendosur politikanët në krye të listës së personave që do të hetohen.
Berisha iu referua një analize të vitit 2012 nga një grup i Bostonit, sipas së cilës Shqipëria renditej e katërta në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.
Berisha: Miq, jo sot që kemi një eksperiencë aq të çmuar, por u them unë ju, në vitin 2012, kur një nga grupet më prestigjioze në botë, grupi i Bostonit, analizoi në 140 vende shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Çfarë gjeti? Gjeti se Shqipëria renditej e katërta në botë. E katërta në botë për këtë gjë. Po si u rendit Shqipëria e katërta në botë? Po, Shqipëria mund të ishte vendi i vetëm në botë që dyfishoi rroga dhe pensione në një hark kohor të shkurtër, se nuk bëhet. Si arriti Shqipëria? Sepse Shqipëria investoi në mijëra e mijëra kilometra rrugë, duke lehtësuar jetën, tregun e mijëra familjeve shqiptare.
Si arriti Shqipëria? Shqipëria kaloi nga 4.8% internet në 63% dhe furnizoi vendin me internet falas në të katër anët e Shqipërisë, duke lehtësuar tarifat, duke ulur çmimet e celularëve e të tjerë. Pra, po tani çfarë ndodh? Tani çdo gjë është përmbysur. Dhe ajo që është, të them, fatkeqësi të rritesh në zi. Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se rriti të ardhurat për frymë për shqiptarët? Jo se u shtua prodhimi. Jo se u shtuan të ardhurat, por se u pakësua numri i shqiptarëve dhe ata që janë pjesëtohen me më pak.
\E bëri publike këtë njoftim. Ndaj dhe ajo që quhet rritje ekonomike, 95% e saj shkon tek kartelet e drogës, tek qeveritarët. Kurse qytetarët varfërohen, varfërohen, varfërohen. Partia Demokratike i jep një përgjigje të hekurt kësaj situate. Betejë totale, frontale, kundër krimit të organizuar, kundër karteleve të drogës, kundër vjedhjeve të shqiptarëve! Agjenci ndërkombëtare dhe kombëtare për ndjekjen, gjetjen e të gjitha pasurive të paligjshme, me listë të politikanëve nga rradhët e para. Po po!
Nuk mund të gëzojnë ata pasurinë që u kanë marrë, kafshatën që u kanë marrë fëmijëve shqiptarë, pensionistëve! Jo, jo. Ndaj dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme që Partia Demokratike si forcë lokomotivë kryesore, si parti e shpresës, të shtrijë dorën për bashkimin më të madh, të ripërtërihet.
Ripërtëritja duhet të jetë motoja e çdo demokrati, filluar nga Sali Berisha e gjer tek… është ripërtëritja e qëndrimeve tona. Ripërtëritja e qëndrimeve. Hapja drejt vlerave të shoqërisë, të rinjve, grave, zonjave, është kusht vendimtar për fitoren tonë.
Edhe një herë, ju falënderoj për këtë pritje dhe ju jap fjalën se kjo betejë e shqiptarëve kundër të keqes më të madhe, ndër më të mëdhatë që kanë parë në historinë e tyre, do të kurorëzohet me fitoren e tyre të plotë.
Faleminderit!
Gazeta RD