Hoxha: Qeveria ka bërë vetëm premtime në Kukës, PD synon t’i kthejë tri bashkitë e qarkut në blu

Deputeti i PD dhe i deleguari politik i kësaj force në Kukës, Flamur Hoxha, ka kritikuar qeverisjen e Edi Ramës për gjendjen ekonomike dhe sociale në qarkun e Kukësit, duke renditur si problematika pensionet e ulëta, vështirësitë ekonomike të familjeve dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Gjatë fjalës së tij në takimin e Partisë Demokratike në Kukës, Hoxha tha se pasojat e qeverisjes së Rilindjes janë ndjerë në çdo familje shqiptare, veçanërisht te pensionistët, të cilët, sipas tij, përballen me pensione të pamjaftueshme dhe mungesë të mbështetjes shëndetësore e sociale.

Duke u ndalur te situata në Kukës, deputeti i PD-së kritikoi atë që e cilësoi si një varg premtimesh të pambajtura nga përfaqësuesit e qeverisë. Ai tha se në gjashtë vite janë ndërruar gjashtë drejtues politikë të qarkut, por nuk është realizuar asnjë prej angazhimeve të marra.

Fjala e deputetit Flamur Hoxha

Të dashur demokrate dhe demokratë!

Në këtë takim të jashtëzakonshëm, i nderuar lideri ynë, zoti Berisha! Të nderuar kolegë deputetë, zoti Leskaj, zoti Çelaj, zoti Balliu! I nderuar kryetar i Bashkisë Has, zoti Dauti! Të nderuar drejtues të strukturave dhe të degëve respektive: kryetari i degës së Tropojës, zoti Hoxhaj; zoti Dauti, i degës së Hasit; zoti Demaj, i degës së Partisë Demokratike Kukës! Të nderuar përfaqësues dhe drejtues të partive aleate!

Të dashur qytetarë shqiptarë, jo vetëm ju që na ndiqni përmes medias, por edhe ata që jeni në diasporë!

Sot fjala është për ju dhe dy fjalë të shkurtra kam.

E keqja e qeverisjes së Rilindjes është ulur këmbëkryq në familjet tona. Jo vetëm në Kukës, por edhe në gjithë Shqipërinë. Dhe ju, në çdo familje, e shihni më së miri te pamundësia për të trajtuar me dinjitet moshën e tretë, me pensione lëmoshë dhe pa ndihmë shëndetësore apo ndihmë sociale.

E shihni te pamundësia e familjarëve tuaj për të mbyllur muajin me shpenzimet familjare. E shihni, fatkeqësisht, edhe te të rinjtë, por jo vetëm te të rinjtë. Edhe te të miturit, që ndërpresin shkollën e mesme dhe mendojnë të largohen nga vendi ynë.

Kjo fatkeqësi, në fakt, e ka ndjerë më shumë qarku ynë.

I keni parë dhe kam dy fjalë për rilindasit, që në gjashtë vite kanë dhënë vetëm premtime. Kanë ndërruar gjashtë drejtues qarqesh, asnjë angazhim dhe asnjë premtim i mbajtur. Kanë qenë ish-kryeministra, ish-drejtues parlamenti, ish-ministra dhe ju i keni diskutuar në këto fushata të fundit. Asnjë angazhim!

Ku janë zonat e lira ekonomike? Ku janë premtimet e mbajtura për tregun industrial? Ku janë rrugët, për të cilat sot ne protestojmë kudo, në çdo fshat dhe në çdo komunë? Ku janë ujësjellësit? I shihni ngjyrën blu të taracave të qytetit. Për të mos folur më shumë pastaj për energjinë, ekonominë dhe mundësitë e punësimit.

Po ku është edhe angazhimi për t’u prirë paktit me kuksianët e tokave të përmbytura, për t’ua zgjidhur hallet, kur nga ato toka të përmbytura merr energji e gjithë Shqipëria me miliarda e miliarda euro?

Por do të ndalem tani te një falënderim.

Nuk ka fjalë, fjalim, podium apo foltore që mund ta shprehë mirënjohjen për qëndresën, votën dhe besimin që i keni dhënë forcës sonë politike, Partisë Demokratike, në 36 vite.

Qarku fitues gjithmonë!

Po çfarë na pret? Të jemi realistë. Unë ju kërkoj me dorë në zemër që, në këta pak muaj që na kanë mbetur, ne duhet ta kthejmë votën tonë popullore, revoltën tonë popullore, në votë blu për tri bashkitë e qarkut tonë.

E kemi detyrim për familjarët tanë, e kemi detyrim për fëmijët tanë, e kemi detyrim për qarkun tonë dhe duhet t’i japim një model që ne dimë të qeverisim. Kemi qeverisur siç duhet dhe do të vazhdojmë të qeverisim, duke fituar dhe duke e bërë këtë qark blu për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar.

E mbyll duke dashur të uroj begati në çdo familje.

Zoti e bekoftë popullin tonë! Zoti i bekoftë trojet tona!

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

30 milionë euro abuzim nga Sako/ Këlliçi: Pushteti i Ramës kudo njësoj, korrupsion dhe abuzim e vjedhje!

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, ka denoncuar abuzimet me fondet publike në Bashkinë e Durrësit, …