Reagimi i fortë i ‘Reuters’/ Administrata e Trump kundërshtoi mbajtjen e Samitit të NATO-s në Tiranë

Shqipëria nuk do të jetë mikpritëse e samitit të NATO-s në vitin 2027, pavarësisht planeve të mëparshme për organizimin e tij në Tiranë. Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi nga Dublini se ende nuk ka një dakordësi mes vendeve anëtare për datën e takimit të ardhshëm të aleancës, raporton Reuters.

Duke folur të enjten për gazetarët, në prag të takimit të liderëve europianë, Rama u shpreh se samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027, ndërsa la të hapur mundësinë që Shqipëria ta organizojë atë një vit më vonë.

“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027. Nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të zhvillohet në Tiranë”, deklaroi Rama.

Por, Reuters shkruan se kishte raportuar që në qershor se planet për organizimin e samitit të NATO-s në Shqipëri ishin në dyshim, për shkak të kundërshtimeve nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve shqiptare për mbrojtjen.

 

Ndërkohë, NATO po shqyrton mundësinë e ndryshimit të praktikës së viteve të fundit për organizimin e samiteve çdo vit, çka do të ndikonte edhe në kalendarin e takimeve të ardhshme të aleancës.

Diplomatët bëjnë të ditur se NATO mund të vendosë të organizojë një samit në një afat të shkurtër, por jo në Shqipëri.

Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se Shqipëria mbetet vendi i parashikuar për organizimin e samitit të ardhshëm, ndërsa data ende nuk është përcaktuar.

“Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri. Vendimi për datën ende nuk është marrë”, deklaroi zyrtari.

Në deklaratën e miratuar gjatë samitit të qershorit 2025 në Hagë, liderët e NATO-s shprehën pritshmërinë për takimin e radhës në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një samit në Shqipëri.

Megjithatë, në deklaratën e samitit të zhvilluar në Ankara në korrik të këtij viti, aleatët u kufizuan vetëm në shprehjen e pritshmërisë për takimin e ardhshëm, pa përcaktuar një datë apo vendndodhje.

“Ne mezi presim takimin tonë të ardhshëm”, thanë udhëheqësit, por pa specifikuar një kohë apo vendndodhje për një samit të ardhshëm.

 

About Krye Redaktor

Check Also

Masakra komuniste në hotel Bristol në Tiranë

Shkëlqim LEPENICA Më 12 nëntor 1944, në hotelin «Bristol» në Tiranë, terrori komunist mori një …