Të zgjedhësh të gjykosh studentët dhe të harrosh arsyet e protestës!

Nga Mimoza MANXHARI – pedagoge

Të zgjedhësh të gjykosh studentët dhe të harrosh arsyet e protestës:
Dy Moza, dy zëra dhe një pyetje e përbashkët:
– Çfarë po i themi brezit që po kërkon ndryshim?


______
Ndërsa protesta vijon, me ritme të ndryshuara, por pa u shuar, e kam gjithnjë e më të vështirë të mos ndalem te disa opinione që dëgjoj nga njerëz publikë dhe opinionistë, për mënyrën se si po trajtohet protesta studentore.
Në vend që të përpiqemi të kuptojmë çfarë i ka nxjerrë të rinjtë në rrugë, dëgjojmë diskutime për veshjen e tyre, prejardhjen familjare, gjendjen ekonomike, aftësinë për të artikuluar kërkesat, madje edhe për të drejtën e tyre për të qenë të pakënaqur.
Deklaratat e fundit tê Mimoza Ahmetit më shtynë të ndalem pikërisht këtu.
Nuk kam asnjë rezervë ndaj të drejtës së saj për të mos marrë pjesë në protestë. Askush nuk mund të detyrohet të protestojë, sikundër nuk pres që çdo intelektual të ndajë të njëjtin qëndrim apo të mbështesë çdo formë organizimi të studentëve.
Shqetësimi im nis kur një qëndrim personal shndërrohet në një gjykim për legjitimitetin e zërit të të rinjve.
Kur studentët përshkruhen si njerëz që ndodhen në anekset e shoqërisë, sepse nuk punojnë dhe janë ende në pritje, më lind një pyetje themelore:
– A duhet vallë të kesh një pozicion të konsoliduar ekonomik dhe shoqëror, që fjala jote të ketë peshë?
Studentët nuk janë në periferi të shoqërisë. Ata janë pjesë e saj. Janë një nga arsyet pse shoqëria duhet të shqetësohet për të ardhmen. Fakti që nuk janë ende të pavarur ekonomikisht nuk ua pakëson të drejtën për të gjykuar realitetin ku jetojnë dhe për të kërkuar ndryshimin e tij.
Njësoj problematik konsideroj edhe reduktimin e pakënaqësisë së tyre te një veshje e shtrenjtë[!].
← Që kur varfëria është bërë kusht për të pasur të drejtën të protestosh?
← A duhet të veshësh rroba të vjetra, që të bëhesh i besueshëm kur kundërshton padrejtësinë?
← A e humbet një i ri të drejtën për të kërkuar një shoqëri të drejtë sepse familja e tij ka mundësi ekonomike?
Ndoshta nuk do të ndalesha kaq gjatë te këto deklarata, po të mos ishte mënyra se si u prezantua qëndrimi:
___ duke theksuar se flitej si studiuese dhe sociologe.
Nuk është momenti për të diskutuar formimin apo titujt e saj akademikë.
Dua të ndalem te përgjegjësia që merr përsipër kushdo që e mbështet një gjykim publik në autoritetin e vet intelektual e profesional. Pikërisht atëherë, argumenti duhet të jetë edhe më i kujdesshëm, analiza më e thellë dhe gjykimi më pak i ndikuar nga përshtypjet personale.
Kur autoriteti akademik përdoret për të vënë në pikëpyetje dinjitetin e atyre që protestojnë, në vend që të ndihmojë në kuptimin e realitetit e për të analizuar shkaqet që I ka nxjerrë në rrugë, atëherë ai humbet funksionin e tij kritik dhe kthehet në distancim.
Unë, që jam pranë studentëve fillimisht si njeri e më pas si profesoreshë dhe studiuese, nuk mund të mos kundërshtoj këtë mënyrë arsyetimi.
Personalisht, do të të thoja se një protestë nuk është provim universiteti.
Nuk është e nevojshme që çdo pjesëmarrës të ketë një program politik të përfunduar, një platformë të përpunuar apo një formulim akademik për pakënaqësinë e vet.
Një protestë qytetare nuk kërkon pjesëmarrës të njëtrajtshëm, me të njëjtat bindje, të njëjtën gjendje ekonomike apo të njëjtën aftësi për t’u shprehur.
Protesta nuk e humbet legjitimitetin sepse brenda saj ka njerëz me arsye, përvoja dhe pritshmëri të ndryshme. Përkundrazi, pikërisht përmes pjesëmarrjes, përballjes dhe diskutimit, këto zëra mund të gjejnë atë që i bashkon.
Të kërkosh prej tyre njëtrajtshmëri përpara se t’i dëgjosh, do të thotë t’u vendosësh një kusht që asnjë shoqëri e gjallë nuk mund ta përmbushë.
E unë, Moza tjetër, do të të thosha ty dhe gjithë atyre që ende habiten:
← Pakënaqësia mund të jetë fillimi i ndërgjegjësimit, ndërsa protesta vetë, procesi përmes të cilit kërkesat qartësohen, bashkohen dhe marrin formë.
Sigurisht, kjo nuk i përjashton studentët nga përgjegjësia për organizim, përcaktimin e objektiva të qarta, përfaqësim dhe zgjedhjen e formave të përgjegjshme të veprimit.
Përkundrazi, pikërisht këto janë sfida me të cilat duhet të përballen dhe ne, si më të rritur, duhet t’i ndihmojmë t’i kapërcejnë, jo t’ua vështirësojmë rrugën.
Pas pothuajse një muaji protestë, a mund të pretendojmë ende se nuk i dimë arsyet e pakënaqësisë së tyre?
Atëherë, po e lejoj veten t’i drejtohem Mozës dhe shumë të tjerëve që jo vetëm habiten, por mbase dhe bezdisen kur rutina e tyre e përditshme ndërpritet nga lajmet dhe zëri i studentëve:
– A nuk janë korrupsioni dhe skandalet e njëpasnjëshme, mungesa e përgjegjësisë publike, pabarazia, kostoja e jetesës, emigrimi, pasiguria për punësimin dhe mungesa e besimit se përpjekja e ndershme shpërblehet, pjesë e realitetit ku jeton edhe secili prej jush, sikundër edhe ata të rinj?
– Pse jemi kaq të gatshëm të kontrollojmë nëse ata që protestojnë janë mjaftueshëm të varfër, të përgatitur apo të denjë për t’u dëgjuar, ndërsa nuk tregojmë të njëjtën kërkesë për përgjegjësi ndaj atyre që ushtrojnë pushtetin dhe marrin vendime në emër të të gjithëve?
Nuk është e nevojshme që çdo student t’i artikulojë të gjitha këto në një fjali, që ne të kuptojmë se çfarë e ushqen pakënaqësinë.
Po i shkruaj këto rreshta sepse më shqetëson ndikimi që mund të kenë fjalët e figurave publike dhe intelektuale mbi një shoqëri tashmë të lodhur, të pasigurt dhe të frikësuar.
E shoh si mjaft të rrezikshme kur njerëzit që gëzojnë vëmendje dhe autoritet publik e zhvendosin diskutimin nga padrejtësitë te pamja, statusi apo mangësitë e protestuesve, duke rrezikuar ta kthejnë fjalën e tyre në një mekanizëm dekurajimi tek ata që kanë vendosur të mos heshtin.
Prandaj, kujdes me fjalën dhe me përgjegjësinë që mbart publikimi i qëndrimeve!
– Në vend që të inkurajojmë pjesëmarrjen, të mos ushqejmë tërheqjen.
– Në vend që të kërkojmë përgjegjësi nga pushteti, të mos përfundojmë duke u kërkuar llogari atyre që guxojnë ta kundërshtojnë atë.
Një intelektual nuk ka detyrimin të jetë në çdo protestë, por ka përgjegjësinë e veçantë të mos e ngatërrojë kritikën me përçmimin, të mos e zëvendësojë analizën me paragjykimin dhe, mbi të gjitha, të mos e kthejë autoritetin e vet në pengesë për zërat e rinj.
Nuk kërkoj aspak që studentëve t’u duartrokitet çdo iniciativë pa u kritikuar. Por kritika që fillon nga pamja dhe statusi nuk është kritikë. Është shpërqendrim.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është nëse studentët janë mjaftueshëm të qartë, të pasur, të përgatitur apo të organizuar për të protestuar.
Pyetja është:
← Çfarë ka ndodhur me ne si shoqëri, që përpara se të kuptojmë dhe të shqetësohemi për arsyet që i nxjerrin të rinjtë në rrugë, merremi me rrobat që kanë veshur?
Le të mos harrojmë se një shoqëri nuk e humbet të ardhmen vetëm kur i largohen të rinjtë.
Ajo e humbet atë edhe kur ata që vendosin të qëndrojnë dhe të kërkojnë ndryshim i bindim se zëri i tyre nuk ka peshë.
Kjo është, për mua, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë.

About Redaksia

Check Also

Spiropali ja plas në sy Ramës/ “Shteti duhet të ndahet nga Partia, të korruptuarit në burg”

Rama propozoi përjashtimin e Spiropalit nga partia, ndërsa nuk dinte se mbi ç’bazë ligjore po …