“Rrezikojmë ta humbasim Bashkinë e Tiranës”. Ky ka qenë një nga mesazhet që ish-kryeministri Pandeli Majko ka përcjellë gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku ka kërkuar një kandidaturë me potencial dhe mundësi reale për të fituar kryeqytetin.
Gjatë diskutimit, Majko ka ngritur edhe shqetësimin për imazhin e Partisë Socialiste, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të personave brenda saj që mund të kenë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar.
“Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokale”, mësohet të jetë shprehur ish-kryeministri.
Më tej, Majko ka kërkuar që çdo anëtar i PS-së për të cilin rezultojnë kontakte diskredituese me krimin e organizuar të largohet nga partia.
“Kush nga anëtarët e familjes tonë kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe diskredituese duhet të largohet menjëherë për të mos i dhënë kosto Partisë Socialiste”, citohet të ketë deklaruar ai.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte gara për Bashkinë e Tiranës, ku Majko ka kërkuar që socialistët të përzgjedhin një kandidat me potencial elektoral.
“Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues”, ka deklaruar ai.
Pas përfundimit të fjalës së tij, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj me nota ironike qëndrimit të ish-kryeministrit.
“Skepticizmi i përhershëm i Majkos më ka motivuar mua të bëj zgjedhjet e duhura dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë me Tiranën”, është shprehur Rama.
Gazeta RD