Deputetja e Ramës është nën hetim/ Blerja e votave

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka konfirmuar se SPAK ka regjistruar një hetim ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Sara Mila. Në një komunikim me gazetarët ditën e sotme, Braho u tregua i rezervuar për detajet e çështjes, duke theksuar se hetimet janë ende në zhvillim.

Deklarata e tij vjen pesë ditë pas paraqitjes së deputetes së qarkut të Elbasanit në ambientet e SPAK, më 11 nëntor. Mila qëndroi për rreth 40 minuta deri në një orë në Prokurorinë e Posaçme, ku u mor në pyetje nga hetuesit.

Në përfundim të takimit, deputetja bëri të ditur se ishte thirrur për t’u pyetur në cilësinë e personit që disponon dijeni mbi çështjen dhe se kishte dhënë deklarimet e saj. Ajo shmangu komentet mbi arsyet konkrete të thirrjes, duke iu referuar sekretit hetimor.

Ndërkohë, sipas raportimeve në media, në fokus të hetimit janë dyshimet për korrupsion zgjedhor në qarkun e Elbasanit. Konkretisht, bëhet fjalë për përdorimin e mundshëm të skemës së ndihmës ekonomike për të ndikuar te votuesit gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandali në Bruksel/ Marta Kos përpiqet të “lajë duart”, reagon Kryetarja e Kuvendit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësues interpretimin e melodisë së …