Eksperti i sigurisë Shkëlqim Berisha ka reaguar ashpër lidhur me skandalin e interpretimit të melodisë së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës në aktivitetin zyrtar të Komisionit Evropian në Bruksel.
Në postimin e tij në Facebook, Berisha kërkon dorëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke e cilësuar të pamjaftueshme ndjesën e saj për një ngjarje që, sipas tij, cenon dinjitetin e Kosovës dhe viktimave të luftës.
Ai vendos në kontrast reagimin e Brukselit ndaj nderimit të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mladić, në Serbi, me qëndrimin ndaj interpretimit të këngës serbe në aktivitetin evropian.
Berisha ngre pikëpyetje mbi standardet e dyfishta të Bashkimit Evropian dhe thekson se pajtimi në Ballkan nuk mund të ndërtohet përmes deklaratave të keqardhjes, ndërsa shmanget përgjegjësia politike.
Postimi i plotë
Kos, jep dorëheqjen!
Në zemër të Brukselit, në një aktivitet zyrtar të Bashkimit Evropian kushtuar unitetit dhe pajtimit, u interpretua melodia e një kënge nacionaliste serbe që pretendon Kosovën si tokë serbe.
Po sikur në atë sallë të luhej melodia e një kënge propagandistike naziste?
A do të mjaftonte një ndjesë, apo do të hapej menjëherë çështja e dorëheqjes?
Dhe kjo nuk është ngjarja e vetme që ngre pikëpyetje.
Vetëm dy muaj më parë, në Serbi, krimineli i dënuar për gjenocid, Ratko Mladić, u nderua me ceremoni, prani zyrtarësh shtetërorë dhe homazhe publike.
Marta Kos e dënoi ngjarjen dhe anuloi një vizitë në Beograd. Por ku ishin pasojat konkrete për Serbinë në procesin e integrimit evropian?
Për Mladićin, dënim me fjalë. Për Kosovën, keqardhje për një melodi!
A është ky standardi me të cilin Brukseli kërkon të ndërtojë pajtimin në Ballkan?
Viktimat e Srebrenicës dhe të Kosovës meritojnë respekt, jo relativizim diplomatik.
Evropa nuk mund të predikojë pajtimin duke shmangur përgjegjësinë!

Gazeta RD