Sali BERISHA
Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë konferencë të mbajtur para këtij institucioni, të cilin që sot e tutje do ta pagëzojmë Avokatura Speciale e Kryeministrit Kriminel Edi Rama.
Mos e harroni pra, ASKKR.
I ndërrohet emri, nuk quhet më Skapi i partisë, por tani edhe partinë ka filluar ta lëshojë, por merret vetëm me mbrojtjen e Padrinos të Shqipërisë.
Lashë në zyrën e tyre këtë shënim: ‘Altin Troplinit, Gjokës, Hajrit, tani i shtohet edhe Ramës, Altin Rama, po, armikut të egër të pluralizmit politik dhe votës së lirë të shqiptarëve, drejtësia vonon, por nuk harron. Sali Berisha’.
Do thoni ju, çfarë kishte aty?
Aty Lubia kishte hapur zyrë.
Dhe Lubi Balluku kishte marrë një zyrë brenda në Skap.
Ky ishte zhvillimi më i ri që mund t’u informoj për këtë zyrë avokatie.
Ndërkohë, denoncoj me forcën më të madhe mbrojtjen që i bëjnë krimit monstruoz elektoral në një akt armiqësor ndaj pluralizmit politik, votës së lirë të shqiptarëve.
Për këtë zyrë avokatie të krimit elektoral, krimi elektoral i PS nuk ekziston.
Sipas tyre, raportet ndërkombëtare, të cilat faktojnë se në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit dhe ligjet ndërkombëtare, Edvin Kristaq Rama organizoi 4530 aktivitete paraelektorale të ndaluara me ligj për të ndikuar tek zgjedhësit.
Sipas tyre, Sara Mile është përgjegjëse se ka kërkuar dy dhe trefishimin në fshatrat e Peqinit apo se ka futur bandat për të rrahur kryebashkiakët e atyre zonave dhe absolutisht është përgjegjëse. Ajo është një kriminele elektorale.
Por super, superkriminel është Edi Rama, me të cilin këta jo që nuk merren, por e mbrojnë sepse Edi Rama shpërndau në mesin e fushatës elektorale 100 euro për 760 mijë zgjedhës në dhunim të ligjeve.
Sara urdhëroi drejtoreshën e ndihmës sociale në Peqin të trefishojë ndihmat, se i duheshin për vota, çka automatikisht duhet të dorëzojë mandatin dhe të shkojë aty ku e meriton.
Kurse Rama për 760 milionë dhuratë në mes të fushatës nuk thirret asnjëherë.
Edi Rama është kriminel dhe përgjegjës para ligjit sepse ditën e zgjedhjeve i dhuroi kompanisë private të Giro d’Italia 7 milionë euro se erdhën për të zhvilluar ciklin çiklistik në mbështetje të Padrinos së Shqipërisë.
Edi Rama është kryekriminel elektoral sepse vetëm dy ditë para zgjedhjeve amnistoi 2 miliard e 100 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit me një impakt tek 210 mijë familje dhe 84 mijë biznese.
Edi Rama është kryekrimineli i zgjedhjeve sepse në fushatë elektorale dekretoi dhënien e 138 licencave për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis nga 200 hektarë që parashikonte ligji.
Edi Rama është kryekrimineli elektoral dhe armiku numër 1 i pluralizmit që mbrohet nga kjo organizatë e PS, de facto zyrë avokatie e Edi Ramës sepse mobilizoi të gjitha kartelet e drogës në Shqipëri dhe jashtë saj për blerjen e votave.
Edi Rama është kryekrimineli elektoral i amnistuar nga kjo organizatë e partisë së krimit sepse mobilizoi si terrorist politik me mijëra e mijëra patronazhistë për grabitjen dhe plaçkitjen e votës.
Pra, siç e shihni, për këtë seksion të PS, nuk ekziston krimi elektoral.
Dhe këta janë bashkëfajtorë.
Këta janë bashkëautorë të të gjithë dhunës, terrorit policor që ushtrohet në rrugët dhe sheshet e Tiranës kundër protestuesve që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nuk u ndala këtu në amnistinë që i bëjnë Edi Ramës në vjedhjet e tij të pallogaritshme.
Vetëm në dosjen Balluku, Rama është 60 përqind aksioner.
Rama është akuzuar nga OSBE që në vitin 2014 se ka të fshehur në bankat offshore 200 milionë euro.
Por fundi i tij është i pashmangshëm.
Ju e ndoqët Asamblenë e Partisë së Krimit.
Në Asamble, fytyrat e tyre ishin secila më armiqësore ndaj Padrinos.
Nuk kam parë ndonjëherë në një kolektivitet fytyra njerëzish që akuzonin kreun siç e akuzonin asambleistët.
Dhe jo se janë të ndershëm se edhe ata janë kriminelë që kanë vjedhur, kanë plaçkitur shqiptarët në mënyrë të pamëshirë.
Por se tani, njeriu që ishte zotuar për mbrojtje, i kishte korruptuar, po shkon atje ku e meriton.
Ndaj dhe ftoj shqiptarët të vazhdojnë fuqishëm protestat, të vazhdojmë t’i japim shtytjen e fundit këtij narkodiktatori që plaçkiti Shqipërinë më shumë se të gjitha regjimet e kohërave të shkuara.
Gazeta RD