Shkëlqim Lepenica
Është një provokim i rëndë ndaj kujtesës kombëtare dhe dinjitetit të mijëra viktimave të komunizmit që, edhe sot, në Tiranë, të festohet e ashtuquajtura ditë e çlirimit me flamujt e simbolet komuniste dhe me portretin e diktatorit Enver Hoxha.
Çfarë çlirimi ishte ky, kur largimi i pushtuesit nazist u pasua nga vendosja e një diktature gjakatare, e cila për gati gjysmë shekulli e mbajti Shqipërinë në izolim, terror, burgje, internime dhe pushkatime?
Tirana e njeh mirë fytyrën e këtij të ashtuquajturi çlirim. Në nëntorin e vitit 1944, komunistët ndërmorën një valë terrori ndaj qytetarëve, intelektualëve dhe personaliteteve të Tiranës. 39 intelektualë u vranë në këtë tragjedi, duke i dhënë qytetit një nga plagët më të rënda të historisë së tij.
Sot, pas më shumë se tri dekadash demokraci, portreti i Enver Hoxhës rikthehet në festimet publike, ndërsa simbolet e diktaturës ekspozohen pa asnjë ndjenjë përgjegjësie ndaj viktimave dhe pasardhësve të tyre.
Kjo nuk është rastësi. Është një zgjedhje politike!
Edi Rama nuk është thjesht një kryeministër që i toleron këto shfaqje. Ai dëshiron t’i shohë, i lejon dhe i promovon politikisht, sepse glorifikimi i së kaluarës komuniste i shërben vizionit të tij për pushtetin. Lidhjet e tij familjare me elitën e regjimit komunist, përmes të atit Kristaq Rama, janë pjesë e historisë së tij familjare.
Nuk është aspak e rastësishme që një pushtet që akuzohet për kapjen e institucioneve, korrupsionin, bashkëpunimin me krimin, manipulimin e zgjedhjeve dhe dhunën ndaj protestuesve, toleron dhe ushqen edhe simbolikën e një regjimi që e mbajti Shqipërinë nën terror. Kjo është një vazhdimësi politike dhe një kulturë pushteti që meriton të denoncohet.
Ata që sot ngrenë portretet e diktatorit duhet të kujtojnë se pas atij portreti qëndrojnë mijëra të pushkatuar, të burgosur, të internuar, familje të shkatërruara dhe eshtra viktimash që ende nuk janë gjetur.
Shqipëria nuk ka nevojë për rikthimin e simboleve të diktaturës. Ka nevojë për të vërtetën, drejtësinë dhe dënimin e krimeve të komunizmit.
Nuk mund të ketë pajtim kombëtar duke nderuar xhelatët dhe duke harruar viktimat!
17 Nëntori nuk duhet të jetë ditë glorifikimi të diktaturës, por ditë kujtese për ata që u grabitën lirinë dhe jetën nga komunizmi!
Gazeta RD