Lideri i opozitës, Sali Berisha bëri thirrje për një protestë masive më 28 Nëntor, duke e cilësuar atë si një akt nderimi për flamurin kombëtar dhe sakrificën e të rënëve për Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të PD, Berisha u kërkoi qytetarëve dhe bizneseve nga mbarë vendi të dalin në rrugë dhe sheshe për atë që e cilësoi si protestën më të fuqishme kundër regjimit të Edi Ramës.
Berisha: Është një motiv i madh për qytetarët të derdhen në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë me datën 28 Nëntor.
Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi se sa një protestë e fuqishme e paparë ndonjëherë nga shqiptarët ndaj këtij regjimi, ndaj këtij Padrinoje.
Duhet të nderojmë flamurin, duhet të nderohen me 28 Nëntor të rënët e kombit të të gjitha kohërave, sakrifica e tyre.
Ndaj dhe ftoj të gjitha bizneset nga mbarë vendi të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh të flamurit tonë.
Me një regjim si ky, pasiguria totale i pret shqiptarët.
Urdhëro ç’bën. Kur ky me aktet që janë, si të thuash, të sanksionuara në të gjitha ligjet, procedura e tij vepron në këtë mënyrë, imagjinoni.
Por ka dhe një motiv të madh, përveç kësaj, barbaria që ai tregoi ndaj studentëve nuk i falet kurrë.
Ato këmbë të thyera, ato krahë, ato kafka të çara, janë plagë për çdo shqiptar, sepse ato kanë qenë akte barbare, të një njeriu për karrigen e tij që ka pasur motiv vetëm urrejtjen ndaj rinisë shqiptare, ndaj të ardhmes së këtij vendi.
Edhe ky është një motiv madhor.
28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes të Shqipërisë.
Gazeta RD