Nga Berati në foltoren e ripërtëritjes së PD, studentja Sara Merdari, njëkohësisht anëtare e forumit rinor u shpreh se rinia në veçanti ajo studentore do të kuptojë se ndryshimi i shumëpritur nuk mund të bjerë nga qielli.
Gjatë fjalës së sja, Merdari tha se ndryshimi duhet të vijë nga vetë bashkimi ynë, siç është duke ndodhur aktualisht me studentët dhe të rinjtë, edhe mbështetjen e palëkundur nga Partia Demokratike.
Sipas saj, bashkëmoshatarët janë larguar jo vetëm nga Berati, por dhe nga Shqipëria, ndërsa arsyeja është shumë e thjeshtë, këtu nuk ka mundësi punësimi dhe veçanërisht për ata të rinj që janë kritikë ndaj qeverisë, mundësitë janë thuajse zero.
Sara Merdari: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Të nderuar deputetë dhe demokratë të qarkut Berat. Unë quhem Sara Merdari dhe jam studente në degën e mjekësisë së përgjithshme. Sot ndihem e emocionuar teksa përshëndes foltoren e ripërtëritjes së Partisë Demokratike, me shpresën e madhe se rinia, në veçanti ajo studentore do të kuptojë se ndryshimi i shumëpritur nuk mund të bjerë nga qielli. Ky ndryshim duhet të vijë nga vetë bashkimi ynë, siç është duke ndodhur aktualisht me studentët dhe të rinjtë tanë, duke pasur sigurisht dhe mbështetjen e palëkundur nga Partia Demokratike.
Pse Partinë Demokratike mund të pyesë dikush? Sepse kjo parti u themelua nga studentët dhe pedagogët, por dhe sepse Partia Demokratike, si atëherë kur ishte në drejtimin e vendit dhe tani që është në opozitë, ka shërbyer gjithmonë për të përfaqësuar rininë, aspiratat, kërkesat madje dhe vetë revoltën e saj. Zoti Berisha, shumë bashkëmoshatarë të mi, por dhe më të rritur se unë, janë larguar jo vetëm nga Berati, por dhe nga Shqipëria. Berati ynë, ky qytet i mrekullueshëm i kulturës dhe traditës, i historisë dhe qytetarisë, është zbrazur mbi të gjitha nga të rinjtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, këtu nuk ka mundësi punësimi dhe veçanërisht për ata të rinj që janë kritikë ndaj qeverisë, mundësitë janë thuajse zero. Fatkeqësisht ajo që ndodh sot në Berat ka përfshirë gjithë Shqipërinë.
Shokët e mi preferojnë ose të largohen jashtë vendit ose të kërkojnë një jetë më të mirë në Tiranë. Por të dyja këto variante nuk janë zgjidhje. Ne e dimë mirë se jeta në emigrim nuk është e lehtë, sikundër e dimë po aq mirë se dhe jetesa në Tiranë është bërë e papërballueshme. Prandaj nuk mendoj se ka zgjidhje tjetër për ne, veçse të luftojmë dhe të ndryshojmë Shqipërinë. Në mënyrë që ne të rinjtë të kemi realisht një shans për t’ia dalë, Partia Demokratike duhet të bëjë çmos që jo vetëm të japë sa më shumë hapësira brenda saj të rinjve më të mirë, më të shkolluar, më të ndershëm, por të luftojë fort për kërkesat dhe aspiratat e tyre, që t’i bëjë pjesë të aksionit politik të saj, dhe me fakte dhe prova konkrete të përfaqësojë me forcë dhe integritet rininë shqiptare.
Unë kam besim të plotë se kjo po ndodh dhe do të vazhdojë të ndodhë. Ju e kuptoni më mirë se çdokush tjetër nevojën për ripërtëritje, jo vetëm të Partisë Demokratike, por të të gjithë politikës shqiptare. Kam besim të plotë që gjithmonë e më tepër të rinjtë do të bëhen pjesë e Partisë Demokratike dhe se dyert e saj do të jenë gjithmonë të hapura për ta, duke i përfaqësuar denjësisht dhe se mbështetja nga ana juaj do të jetë maksimale. Ju faleminderit!
Gazeta RD