SPAK kërkon 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi

SPAK ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) konkluzionet përfundimtare për çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, si dhe tre ish-zyrtarëve Dorian Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria ka kërkuar dënimin e secilit prej katër të pandehurve me 1 vit e 6 muaj burgim.

Megjithatë, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkon që masa përfundimtare e dënimit të jetë nga 1 vit burg për secilin.

Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare për Fredi Kokoneshin dhe 2-vjeçare për tre ish-zyrtarët e tjerë.

Në hetim dhënia me qira e 67 hektarëve tokë shtetërore

Sipas hetimeve të SPAK, çështja lidhet me procedurat për dhënien me qira të rreth 67 hektarëve tokë në pronësi të shtetit, të destinuara për ndërtimin e impianteve diellore.

Bëhet fjalë për sipërfaqe që, sipas regjistrimeve në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, figuronin si tokë bujqësore.

SPAK pretendon se gjatë procedurave për ndryshimin e kategorisë së tokës dhe dhënien e saj me qira për një periudhë 10-vjeçare, katër ish-zyrtarët kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Akuzat

Katër të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Në konkluzionet përfundimtare, SPAK vlerëson se provat e administruara gjatë hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor mbështesin akuzën ndaj tyre dhe kërkon shpalljen fajtorë e dënimin sipas masave të kërkuara.

Tashmë pritet vendimmarrja e GJKKO-së, e cila do të vlerësojë provat dhe pretendimet e palëve përpara dhënies së vendimit.

About Redaksia

Check Also

Pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së!

Pensioni mesatar neto në Shqipëri kishte vetëm 19% të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në …