Denoncimi i të riut protestues/ U torturova në Komisariatin 1 nga Roki Pepa dhe Ervin Hasrama

Protestuesi Enea Gjondedja ka përgënjeshtruar policinë pas një deklarate të kësaj të fundit se ai nuk ishte dhunuar brenda Komisariatit 1 por në rrugë nga persona të panjohur.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin Prime në News24, i riu tha se u ndalua nga policia pranë ish-Hotel Dajtit, teksa po priste urbanin për t’u kthyer në Durrës, dhe më pas u dërgua në komisariat. Gjondedja deklaroi se është dhunuar fillimisht nga Roki Pepa dhe më pas edhe më shumë nga Ervin Hasrama.

Ai tregoi se ka qenë nën presion dhe se për këtë arsye ka firmosur deklaratën “Nuk kam pretendime”, ndërsa shtoi se nuk iu lejua të qëndronte me avokatin.

Protestuesi Gjondedja tha gjithashtu se është kërcënuar dhe se policia i ka vendosur edhe një gjobë, ndërsa rrëfeu detaje nga momentet e shoqërimit dhe dhunës së pretenduar në komisariat.

“Kam qenë nën presion, prandaj kam firmosur “Nuk kam pretendime”. Kërkova një avokat, që më thanë se do më ndihmonte. Por si përfundim më caktuan një avokat të shtetit. Kam qenë në zyrën e shefit të Komisariatit 1. Kam qenë bashkë me një shok, që e njihja në protestë. Erdhi roja dhe më tha hajde se të kërkon shefi sipër. Kur shkova sipër, gjej Roki Pepën me dy këmbët sipër tavolinës. Doja të ulesha në karrige. Më tha mos u ul, por çohu në këmbë. Mbaj duart unë dhe filloi të më dhunonte. Më çojnë prapë poshtë, pas 5 minutash më thonë që hajde sipër prapë. Kur shkoj prapë sipër, me fjalë banale dhe të ndyra, Ervin Hasrama më godet shumë herë më fort. Kam qenë i trullosur pastaj, më dhanë ca gjëra për t’i mbajtur tek syri, që mos më enjtej. Këto nuk më lanë as avokatin aty.

Tek ish Hotel Dajti nisi çdo gjë, aty më shoqëruan. Po merrja urbanin për në Durrës, më vjen një makinë e policisë, pastaj një civil, erdhën disa dhe më kapën, më fusin në makinë, më çuan në komisariat dhe ndodhi ajo që thashë. Më kanë thënë që mos fol, mos reago. Më është ushtruar shumë presion, më kërcënoi njëri e më tha “më shih në sy” se jemi burra më tha, një si qeros. Jam shoqëruar sepse isha në protestë. Më kanë vendosur edhe gjobë.

Unë jam jetim. Babai më ka ndërruar jetë. Vëllai i vogël ka probleme shëndetësore. Doja të dërgoja vëllain për të bërë operacion në Turqi dhe me letrat e vëllait tim, ka shkuar dikush tjetër. Ngjarja më jep forcë më shumë që të protestoj, sepse të protestosh është e drejtë kushtetuese. Kjo është polici kriminale, s’është Policia e Shtetit. Unë nuk kisha asnjë rrezik, nuk kisha gjë me vete, dhuna që ushtrojnë ata, është e paparë.”

Më herët përmes një deklarate zyrtare, policia theksonte se i riu nuk ishte dhunuar në polici por në rrugë nga persona të panjohur. Sipas deklaratës së policisë, i riu nuk kishte bërë kallëzim dhe as kishte ndonjë pretendim për dhunë ndaj tij.

Gjodedaj i akuzoi Hasramën e Pepën për dhunë në një deklaratë para parlamentit ditën e sotme, ku ishte edhe deputeti i Partisë Mundësia Shehaj. Ky i fundit denoncoi më pas nga Spitali i Traumës një oficer të Policisë Gjyqësore dhe një shef Sektori në Komisariatin 1 se e kishin marrë me forcë nga krevati të riun dhe e kishin kërcënuar të ndryshonte dëshminë./ Hashtag

About Krye Redaktor

Check Also

Mbahej në Dhomat e Sigurisë/ Avokatja e PD nxjerr nga qelia të miturin 15-vjeçar

Adriana KALAJA Sërish premtim i mbajtur…. Edhe sot, ashtu si në gjithë rastet e protestuesave …