Balluku dhe Nënballuku…

Nga Elona CASLLI

Nga ekrani i Top Channel-it, mbrëmë sytë e shqiptarëve panë atë që Spiropali ka refuzuar të shohë për tri mandate, ndërsa veshët e shqiptarëve dëgjuan atë që Elisa ka vendosur ta dëgjojë vetëm në mandatin e katërt.
“Kur sulmohem unë, që kam qenë ish-kryetare e Kuvendit dhe jam deputete, çfarë i ndodh një qytetari të thjeshtë që proteston?!”, është shprehur Spiropali mbrëmë.
Ta rrëfej unë, Spiropali, çfarë i ndodh një qytetari të thjeshtë.
Në pjesën më të madhe të institucioneve në Shqipëri ka një Balluke dhe një Nënballuke. Kur them Nënballuke, nënkuptoj emrin tënd Elisa.
Ballukja është e preferuara e shefit. Para këmbëve të saj përkulen të gjithë punonjësit, sepse ajo është titullarja në hije e institucionit. Nënballukja ka zonën e saj të influencës, por për të arritur te shefi, i duhet të kalojë traun e madh doganor të vendosur nga Ballukja.
Nëpunësit të thjeshtë të institucionit, i cili është njëkohësisht edhe protestues, i duhet të bëjë punën dhe të durojë luftën mes Ballukes dhe nënballukes, të cilat luftojnë për vendin e parë në sytë e shefit.
Nëse nëpunësit të thjeshtë i vjen një ditë në majë të hundës dhe vendos t’i tregojë vendin Ballukes dhe Nënballukes, atëherë ndodh mrekullia e bashkimit. Ballukja dhe Nënballukja bëhen një trup i vetëm për ta larguar me ceremoni nga institucioni dhe për ta kthyer në shembull përpara gjithë kolektivit. Mesazhi është i qartë: askush të mos pipëtijë dhe askush të mos guxojë të kundërshtojë as edhe një presje të fjalës së Ballukes dhe Nënballukes.
Pasi kanë mbaruar punë me shuarjen e zërit rebel brenda institucionit, Ballukja dhe Nënballukja kthehen në pozicionet e mëparshme të luftës. Përplasja rifillon. Kush do të jetë e preferuara e shefit? Ballukja apo Nënballukja?
Ndërkohë, nëpunësi i thjeshtë gjendet jashtë institucionit me librezën e punës në duar, mbi të cilën Ballukja dhe Nënballukja kanë shkruar vërejtjet e tyre.
I drejtohet gjykatës. Gjykata i njeh të drejtën e dëmshpërblimit, por jo të rikthimit në vendin e punës. I pakënaqur me vendimin, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë se largimi nga puna ka qenë i padrejtë, por se atij i njihet vetëm e drejta për dëmshpërblim dhe jo për rikthim në detyrë, nëpunësi i drejtohet Gjykatës së Apelit.
Në sportelin e gjykatës e pret fytyra e sjellshme e një zonje e cila i thotë:
“Çështja juaj i përket vitit 2026. Gjykata po shqyrton çështjet e vitit 2018. Duhet të prisni ca vite për gjykim.”
Atëherë, nëpunësi kthehet në shtëpi, hap televizorin dhe të sheh ty, Elisa, ose më saktë, ty, Nënballuke, që i thur lavde shefit, por njëkohësisht akuzon Ballukun se ka pushtuar disa institucione në Shqipëri dhe i përdor këto institucione si kartëvizita kërcënimi për çdo zë kundërshtues.
Një déjà-vu shfaqet në kafkën e nëpunësit të dëbuar nga puna. I kujtohet lufta mes Ballukes dhe Nënballukes në miniaturë, në institucionin ku dikur punonte dhe papritur kupton se e gjithë lufta e Spiropalit zhvillohet për shkak të parafjalës “nën”.
Nëse Spiropali nuk do të ishte një Nënballuke, por një Mbiballuke, nuk do të kishte shqiptuar as edhe një gjysmë fjale, ashtu siç nuk ka bërë për plot tri mandate qeverisëse.
Thënë shkurt, kjo është një luftë parafjalësh. Në dyluftim janë parafjala “nën” dhe parafjala “mbi”. Spiropali lufton për t’u bërë një Mbiballuke, ndërsa Balluku lufton për ta mbajtur Spiropalin në pozicionin e Nënballukes.
Post Scriptum- Mbiballuke apo Nënballuke? Kjo është dilema.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe redaksi

About Redaksia

Check Also

Rënia e trurit është më e rëndë se çdo rënie tjetër!

Nga Elona CASLLI Nga të gjitha rëniet që mund t’i ndodhin njeriut gjatë ekzistencës më …