Berisha: Narkoshteti po shuan kombin shqiptar, shpëtimi nga regjimi i Ramës vjen përmes bashkimit

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, narko-shteti është përgjegjës për shuarjen e kombit shqiptar, ndërsa shpëtimi nga regjimi i Ramës, sipas tij vjen vetëm përmes bashkimit.

Duke folur në foltoren e ripërtëritjes në Tiranë, Berisha tha se narko-shteti ka shkatërruar ekonominë, me rënie masive të prodhimit dhe shkatërrimin e vendeve të punës.

Berisha: Miq, para disa kohësh i thashë një miku tim: ‘Ne kemi një problem’, i thashë. ‘Problemi ynë është se narkoshteti, droga po na rrënon. Ka shkatërruar ekonominë, ka përgjysmuar eksportet, ka shkaktuar rënie masive të prodhimit, shkatërrim masiv të vendeve të punës. Kartelët vendosin kudo për votat, vendimet e tjera, për ndërtimet, për çdo gjë. Dhe ne i kemi të dokumentuara këto, por problemi ynë është se nuk ka një reagim nga miqtë tanë, nga partnerët tanë, ndaj kësaj situate dramatike që kalon vendi dhe kombi ynë’.

Në fakt, i thashë, jo vetëm nuk ka reagim, por për fat të keq nuk mungojnë rastet kur përfaqësues ndërkombëtarë i mohojnë këto zhvillime.

M’u kthye e më tha: ‘Sali, një gjë të siguroj, se të gjitha këto që thua janë plotësisht të vërteta për ne. Por pastaj shprehja apo qëndrimi, sigurisht që adaptohet në kuadër të një qëndrimi të përgjithshëm, të cilin një mik tjetër do e shprehte: Si do të thonë ne narkoshtet kur Shqipëria po anëtarësohet, po ecën drejt Bashkimit Evropian?’

Pse jua thashë këtë? Jua thashë këtë sepse shpesh, me të drejtë, ne presim nga partnerët tanë të denoncojnë narkoshtetin, të denoncojnë narkoregjimin. Por tani duhet të themi një gjë tjetër: edhe sikur me të gjitha mjetet e tyre ta denonconin, një gjë duhet të jemi të sigurt: nga narkoshteti shpëtimi duhet të vijë nga ne.

Nuk është Shqipëria Venezuela që të dërgohen Deltat dhe të rrëmbehet në bunker e të arrestohet Maduro. Ramaduro është shumë i ngjashëm me të, jua them unë juve. Po të lexoni ju për regjimin e gangsterëve të Venezuelës, janë absolutisht si një pikë uji, e ndarë në dyshë. Ta dini mirë këtë.

Por prapë Shqipëria është Shqipëri, nuk është Venezuela. E them këtë se duhet ta mbajmë parasysh: edhe sikur gjithë bota t’i thotë se Edi Rama është narkoshtet, narkodiktator e të tjerë, përsëri detyrën e shtëpisë duhet ta bëjmë ne. Nuk do të vijë kush të na e bëjë këtë detyrë.

Dhe a mund ta bëjmë ne këtë detyrë? Po! Mund ta bëjmë këtë detyrë, absolutisht.

Goditjet që i kanë dhënë këtij regjimi gjatë vitit 2024 janë goditje fatale për të. De facto është një kufomë e pakallur. Dhe këtë e bënë protestat. Këtë e bënë protestat.

Mirëpo çdo ditë që kalon në pushtet është një ndëshkim për shqiptarët. Çdo ditë që qëndron në pushtet është një mallkim për Shqipërinë.

Ndaj edhe ne jemi në një udhëkryq. Ndaj kundër tij janë përdorur protestat më gjigante, janë përdorur protestat më të guximshme, por ka një armë më të fuqishme se këto dhe kjo armë nuk është përdorur. Kjo armë është bashkimi! Kjo armë është bashkimi!

Churchill, në prag të Luftës së Dytë Botërore, thotë se civilizimi mund të mbijetojë gjatë, liria mund të mbrohet, paqja mund të sigurohet vetëm kur një grup i madh njerëzish bashkohet.

Në fakt, këtë e provon dhe historia jonë. Sa herë jemi bashkuar, ne kemi arritur të kapërcejmë stuhi dhe vështirësi. Ndaj dhe nuk ka rrethanë që fton më shumë për bashkim sesa rreziku ekzistencial.

Ju jeni gratë e burrat e rinj politikë. Sot, për çdo shqiptar, për çdo vatër shqiptare, për çdo familje shqiptare, ekziston një rrezik ekzistencial që po e shuan kombin, që po e kllabron kombin.

Sot, sipas statistikave mashtruese zyrtare, jemi gjithsej 2 milionë e 300 mijë. Imagjinoni, ishim, sipas statistikave zyrtare, 2 milionë e 820 mijë. Tani, zyrtarisht, unë ju garantoj se jemi shumë më pak, por po e marr këtë që thonë zyrtarisht: 2 milionë e 300 mijë.

Fondi Monetar korrigjoi shifrën e të ardhurave për frymë, duke deklaruar se po e bëjmë korrigjimin për shkak të pakësimit dramatik të popullsisë.

Eurostat publikoi të dhënat e fundit: nga 100 shqiptarë, 56 banojnë në Bashkimin Evropian. Shqiptarë nga Shqipëria. Nga të cilët, 1 milion e 99 mijë kanë ikur dhjetë vitet e fundit.

Sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa lindnin 100 vjet më parë, kur ne ishim më pak se 1 milion. Asnjë luftë, asnjë pushtim nuk na ka dhënë një goditje të tmerrshme demografike siç na e ka dhënë narkoshteti i Edi Ramës.

About Redaksia

Check Also

Bashkim dhe vetëm bashkim/ Berisha: Fronti i gjerë opozitar duhet t’i japë shtytjen e fundit regjimit të Ramës

Bashkimi në një front të gjerë opozitar, është shansi i vetëm për t’i dhënë fund …