Desada Xhetani: Ripërtëritja, pas çdo të riu shoh një mundësi të re për këtë parti

Anëtarja e kryesisë së PD, Desada Xhetani gjatë fjalës në Foltoren e Ripërtëritjes në Tiranë, theksoi rëndësinë e vizionit të një opozite që bashkon, një parti që hap dyert dhe një brez që merr përgjegjësi.

“Por këtë rrugëtim duhet ta bëjmë së bashku me demokratët që kanë qëndruar ndër vite, me njerëzit që kanë përvojën, kujtesën dhe sakrificën e kësaj partie, sepse ripërtëritja merr kuptim kur përvoja, energjia e brezave bëhet një forcë e vetme” theksoi ajo, sepse ripërtëritja nuk është thjesht ajo që duam të ndryshojmë brenda nesh është ajo që ne duam t’i ofrojmë Shqipërisë.

Desada Xhetani: Sot kur shoh atë që po ndodh në shesh, shoh më shumë se një protestë. Shoh një brez që kërkon të ardhmen e vet. Studentë që kërkojnë dinjitet, prindër që duan një Shqipëri më të mirë për fëmijët e tyre dhe qytetarë që kanë ende shpresë se ky vend mund të ndryshojë. Dhe pikërisht këtë shpresë duhet ta kthejmë në një forcë të përbashkët. Unë besoj se sot kemi nevojë të krijojmë një front të përbashkët opozitar.

Kjo protestë ka një qëllim të qartë dhe meriton seriozitetin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e të gjithëve ne. Kjo nuk është një aventurë e çastit, por një përpjekje që duhet të na bashkojë rreth një objektivi politik dhe kombëtar. Dëgjoj ndonjëherë individë që thonë opozita jemi ne, por unë besoj se opozita jemi të gjithë ne, jeni ju, jemi ne, është çdo qytetar shqiptar që kërkon ndryshim, çdo i ri që kërkon të ndërtojë të ardhmen e vet këtu në Shqipëri dhe çdo shqiptar që ka një qëllim të vetëm: largimin e Edi Ramës.

Secili prej nesh ka vendin e vet në këtë përpjekje. Askush nuk duhet të ndihet jashtë këtij fronti opozitar, sepse ajo që na bashkon është më e madhe se dallimet që mund të kemi. Sot ne kemi nevojë të jemi bashkë, të besojmë te njëri-tjetri dhe të kuptojmë se ndryshimi fillon kur secili prej nesh vendos të japë kontributin e vet.

Dua të ndalem te Partia Demokratike dhe te procesi i ripërtëritjes, sepse besoj se ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne. Shpesh ne flasim për mungesë të frymës rinore, por unë dua të flas për të rinjtë që i kam parë me sytë e mi. Për ata që kanë qenë në protesta, që kanë trokitur derë më derë, që kanë udhëtuar në çdo qytet dhe që kanë dhënë kohën, energjinë e tyre kësaj partie. Sot unë jam anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike, e zgjedhur përmes një procesi zgjedhor. Përballë meje janë edhe pesë të rinj të tjerë dhe për mua kjo është një shenjë se ka hapësirë për një brez të ri dhe një përgjegjësi që duhet ta justifikojmë vetëm me punë.

Interesi që po shohim në aplikimet në Grupimin Rinor Universitar Demokrat dhe në Forumin Rinor më jep shpresë. Pas çdo të riu që aplikon, unë shoh një mundësi të re për këtë parti. Shoh energji, shoh ide, dëshirë për t’u përfshirë dhe njerëz që duan të bëhen pjesë e këtij ndryshimi. Prandaj për mua ripërtëritja nuk është thjesht një proces organizativ. Është një mundësi për t’u kthyer te njerëzit, për të hapur dyert, për të vlerësuar kontributin dhe për t’u dhënë hapësirë atyre që kanë vullnetin dhe aftësinë për të marrë përgjegjësi. Të rinjtë kanë qenë në ballë të protestave dhe duhet të jenë edhe në ballë të vendimmarrjes. Partia Demokratike u ka besuar gjithmonë të rinjve, i ka dëgjuar dhe u ka dhënë të rinjve mundësi dhe hapësirë që të provovat veten.

Një i ri që vjen sot në këtë parti duhet të shohë një të ardhme për veten, duhet të ndjejë se puna e tij vlerësohet dhe se zëri i tij ka peshë. Por këtë rrugëtim duhet ta bëjmë së bashku me demokratët që kanë qëndruar ndër vite, me njerëzit që kanë përvojën, kujtesën dhe sakrificën e kësaj partie, sepse ripërtëritja merr kuptim kur përvoja, energjia e brezave bëhet një forcë e vetme. Unë besoj se Partia Demokratike ka një përgjegjësi të madhe përpara këtij brezi. Ne duhet të forcohemi dhe të bëhemi ajo parti demokratike ku një i ri të ketë arsye të vijë, të ketë hapësirë të kontribuojë dhe të ketë besim se nesër mund të marrë përgjegjësi. Ne jemi një parti që ndërton të ardhmen duke vlerësuar njerëzit dhe kontributin e gjithsecilit.

Kur e nisa këtë rrugëtim si studente, të them të drejtën nuk e dija se ku do të më çonte. Dija vetëm se besoja te ajo që bëja dhe se vendi im meritonte të angazhohesha. Sot pas gjithë këtyre viteve kam edhe më shumë arsye për të besuar se ja vlen të qëndrosh, të punosh, të mos heqësh dorë nga ajo që dëshiron të ndryshosh. Ka shumë të rinj që sot na shohin. Ka demokratë që shohin një arsye të re për të besuar. Ka qytetarë që presin prej nesh një alternativë dhe një drejtim të qartë. Dhe ne do t’ua japim këtë arsye. Ne do të ndërtojmë një parti demokratike që nuk jeton vetëm me historinë e saj, por që ka guxim dhe ka treguar që ka guxim të krijojë të ardhmen. Një opozitë që bashkon, një parti që hap dyert dhe një brez që merr përgjegjësi. Sepse ripërtëritja nuk është thjesht ajo që duam të ndryshojmë brenda nesh. Është ajo që ne duam t’i ofrojmë Shqipërisë. Dhe Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë për ne, për energjinë tonë, për bashkimin tonë dhe për besimin se një e ardhme më e mirë është e mundur. Kjo është përgjegjësia jonë dhe këtë përgjegjësi ne do ta kthejmë në veprim. Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë, rrofshin qytetarët dhe demokratët. Faleminderit.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Rama është në ditën e tij më të zezë, të gjitha sondazhet e nxjerrin humbës!

‘Edi Rama është në ditën e tij më të zezë. Nuk ka sondazh, jo të …