Protestuesit nuk ndalen/ “Me 28-të, Rama e di vetë…”

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës vijoi edhe pasditen e kësaj të shtune në Tiranë, me marshime në rrugët e kryeqytetit, tensione për bllokimin e qarkullimit dhe thirrje për largimin e kryeministrit.

Në ditën e 175-të të protestës, studentët, qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, për të vijuar më pas me një marshim në disa akse të kryeqytetit.

Tubimi nisi rreth orës 14:00. Protestuesit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës, duke e cilësuar largimin e tij si kusht të panegociueshëm. Në zonën përpara Ministrisë së Arsimit, policia kishte marrë masa për të mbajtur të hapur rrugën, duke vendosur një kordon efektivësh mes protestuesve dhe automjeteve që qarkullonin në Rrugën e Durrësit.

Efektivët nuk lejuan që turma të shtrihej në rrugë dhe të bllokonte qarkullimin. Protestuesit qëndruan përpara godinës së ministrisë, ndërsa në zonë ishin pozicionuar edhe autobotë me ujë, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia bllokon daljen pranë Bankës së Shqipërisë, protestuesit ndryshojnë itinerarin

Pas qëndrimit përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit u nisën në marshim nëpër rrugët e Tiranës. Fillimisht, ata synuan të vijonin në drejtim të kryqëzimit pranë Bankës së Shqipërisë, por u përballën me një pengesë të vendosur nga policia, e cila nuk i lejoi të kalonin në atë aks.

Përballë këtij bllokimi, turma ndryshoi itinerarin dhe vijoi lëvizjen përmes rrugës “Mine Peza”, duke u drejtuar më pas drejt Rrugës së Kavajës.

Gjatë marshimit, protestuesit shoqëruan lëvizjen me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit. Ndërkohë, një pjesë e drejtuesve të automjeteve që kalonin pranë tyre u binin borive në shenjë solidariteti. Kjo u shoqërua me reagime nga protestuesit, të cilët vijuan marshimin përgjatë rrugës, pranë automjeteve që qarkullonin.

Protestuesit bllokuan qarkullimin në rrugën “Myslym Shyri”, duke u vënë flakën koshave të mbeturinave.

Në zonë u vendosën forca të shumta policie, ndërsa një kordon policor është pozicionuar në kryqëzimin pranë Drejtorisë së Policisë.

“Shqipërinë nuk e falim”, thirrjet gjatë marshimit dhe mesazhi për 28 Nëntorin

Gjatë lëvizjes në rrugët e kryeqytetit, protestuesit përsëritën slogane patriotike dhe mesazhe kundër qeverisë. Ndër thirrjet që u dëgjuan ishte “Shqipërinë nuk e falim”, ndërsa një tjetër mesazh i përsëritur ishte “Më 28, Rama e di vetë”.

Protestuesit paralajmëruan kështu vijimin e tubimeve edhe në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe shfuqizimin e ligjeve që kundërshtojnë.

Gjatë kësaj proteste, një tjetër moment i raportuar ishte djegia e fotografisë së Edi Ramës përpara Ministrisë së Arsimit.

“Kërkojmë nëntorin e tretë”, protestuesit paralajmërojnë vijimin e qëndresës

Në vijim të marshimit, një prej protestuesve deklaroi se kërkojnë “nëntorin e tretë”, duke theksuar se qytetarët janë të vendosur të vijojnë kundërshtimin ndaj qeverisë. Sipas tij, lëvizja po i afrohet gjashtë muajve dhe kërkesat e artikuluara në shesh mbeten të njëjta: dorëheqja e kryeministrit, qeveria teknike dhe shfuqizimi i ligjeve të kundërshtuara.

Më pas, protestuesit u ndalën te Rruga e Elbasanit, ku po ashtu vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe u dogjën koshat e mbeturinave.

Në fund ata ndaluan para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

About Krye Redaktor

Check Also

Veliaj shkarkon nga burgu bandën që sulmoi protestuesit nga selia e PS

Përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt sa vjen e thellohet. Kryebashkiaku, që ndodhet në …